Kosova, sa e mirë

Përfaqësuesja e Kosovës realizoi ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare kundër Haitit, duke barazuar me rezultat 0:0. Edhe pse nuk pati gola, futbollistët e Kosovës treguan lojë të mirë dhe premtuese për sfidat e ardhshme. E, tifozët nuk i dëgjuam.

Sport

05/03/2014 13:28

(E Plotësuar)

Përfundon ndeshja, Kosova – Haiti 0:0.

90+ Zymer Bytyqi kërcënoi me një goditje por nuk e gjeti cakun.

90′ Haiti rrezikon nga distanca, topi pranë port së Ujkanit.

86′ Kosova kundërpërgjigjet menjëherë, por Shpëtim Hasani nuk arrin të dërgojë topin në portë nga afërsia.

85′ Haiti kërcënon nga goditja e lirë, por Samir Ujkani pret pa problem.

77′ Faton Toski kërcënoi nga goditja e lirë, por topi shkoi pranë portës.

70′ Shpëtim Hasani godet nga brenda zonës, por qëllon vetëm rrjetën anësore.

62′ Kosova vazhdon të jetë në kërkim të golit, por Haiti po mbrohet me sukses.

48′ Kristian Nushi godet nga krahu i majtë, por topi devijohet nga një mbrojtës i Haitit.

46′ Ka filluar pjesa e dytë e takimit, me Kosovën sërish në sulm.

Përfundon pjesa e parë e ndeshjes, pa gola, por me Kosovën dukshëm më kërcënuese sesa Haiti. Mirëpo, skuadra vendase humbi një numër të madh rastesh për shënim.

45′ Kosova kërkon penallti, por gjyqtari akordon goditje nga këndi.

37′ Rast ideal për Ilir Azemin por goditjen e tij nga afërsia e devijoi një mbrojtës i Haitit.

35′ Alushi nga brendia e zonës godet lart mbi portë.

30′ Tifozët brohorasin: Duam fitore. Këtë janë duke e kërkuar edhe futbollistët në fushë.

20′ Pavarësisht fushës në gjendje të vështirë, futbollistët kosovarë janë duke shfaqur lojë mjaft të mirë, dhe deri më tani kanë qenë mjaft kërcënues për Haitin.

18′ Mundësi ideale për Shpëtim Hasanin por në vend se të godiste drejt portës, ai kërkoi asistimin që ishte i pasaktë.

15′ Rast i mirë për Kosovën. Ilir Azemi dërgoi një top për Albert Bunjakun por portieri i Haitit ishte në vend.

13′ Haiti kërcënon në zonë, por mbrojtja e Kosovës reagon me sukses.

12′ Kosova vazhdon të sulmoj, por Haiti reziston me sukses, duke u nisur në kundërsulm.

12′ Kërcënimi i parë serioz vjen nga Shpëtim Hasani, goditjen e së cilit e priti portieri i Haitit.

3′ Ndeshja ka filluar me një lojë të baraspeshuar. Kosova dhe Haiti janë duke luajtur më së shumti në mesfushë, por mungon pasimi i fundit edhe për fajin e gjendjes së vështirë të fushës për shkak të reshjeve të shiut.

————————————————–

Historia shkruhet sot

Nuk do të ketë himn, as simbole kombëtare e flamur, por do të jetë një ndeshje që zë vend në histori.

Ballafaqimi mes Kosovës dhe Haitit në Mitrovicë shënon një moment historik për vendin tonë.

Pa ulëse në Kombet e Bashkuara që bëjnë që ende të mos jemi anëtar në FIFA e UEFA, Kosova ende nuk ka të drejtë të marr pjesë në garë zyrtare, mirëpo ngadalë është kapluar nga shpresa se edhe kjo nuk do të vonojë shumë.

Një numër i madh i futbollistëve shqiptarë, që sot janë anëtarë të shteteve tjera si Zvicra e Shqipëria, kanë nënshkruar një peticion duke bërë thirrje që Kosova të lejohet të zhvillojë ndeshje miqësore.

Të gjithë ata, por edhe ylli i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj kanë të drejtë të luajnë për Kosovën, pas pranimit me të drejta të plota në asociacionet ndërkombëtare. Por, sot shënohen hapat e parë të bebes për Kosovën, por e ardhmja fillon këtu.

Kosova, më në fund, ka thyer barrierat në luftën e saj për ndërkombëtarizimin e futbollit. Një proces i nisur vite më parë, me kërkesa, refuzime, miratime e shtyrje të shumta është përcjellë me ankth nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, futbollistët dhe tifozët.

Kur Kombëtarja e Kosovës të zbresë në fushë, mund të duket pak si e lënduar.

Emrat kryesorë që po bëjnë ligjin në fushë të blertë dhe kryetitujt në mediat botërore si Xherdan Shaqiri, Adnan Januzaj, Valon Behrami e Granit Xhaka nuk janë në formacion. Ata i duhen Kosovës.

Foto: Bujar Tërstena