Kosova po futet në fazë kritike

Driton Selmanaj nga KDI vlerëson se dëmi që po i shkaktohet Kosovës, nga ngërçi politikë po iu faturohet qytetarëve të vendit.

Lajme

21/10/2014 09:18

Në një intervistë dhënë për gazetën “Tribuna”, Selmanaj ka thënë se efektet negative të ngërçit politik, i cili tash ka hyrë në muajin e pestë të saj, janë edhe në planin e brendshëm por dhe atë të jashtëm.

“Absolutisht kjo situatë është  papranueshme dhe dëmi është i madh që po i bëhet qytetarëve të Kosovës nga ana e lidershipit dhe subjekteve politike. Efektet e kësaj papërgjegjësie të klasës sonë politike po i faturohen Kosovës dhe qytetarëve të saj, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm”.

Selmanaj vlerëson se pamundësia që partitë politikë për t’i dhënë një zgjedhje krizës edhe pas vendimit të Kushtetueses, tregon për mosguxim politik.

“Është në vlerësimin dhe veprimin e subjekteve politike parlamentare që të ofrojnë zgjidhje kreative dhe pragmatike për të dalë nga kjo krizë e shkaktuar nga vetë ata. Barrikadimi në pozita rigjide edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pa ofruar ndonjë mundësi për zgjidhjen e kësaj krize, dëshmon për mungesën e guximit për veprim politik në lidershipin kosovarë”.

Analisti Selmanaj vlerëson se barrikadimi i blloqeve politike po e fut Kosovën në një fazë kritike, e cila sipas tij, do të ketë pasoja afatgjate.

“Njëra palë thirret në procedura, pala tjetër në parime universale demokratike, kurse ajo që mbetet në vend është kriza politike dhe jeta e rëndë e qytetarëve të Kosovës”.

“Kosova po futet në fazat e saja kritike, ku prolongimi i mëtutjeshëm i kësaj krize do të ketë pasoja afatgjate për të gjitha sferat e jetës shoqërore në Kosovë”, ka thënë ai.