Kosova po bën diplomaci me dinamikë të plogësht

Skënder Hyseni mendon se diplomacia kosovare nuk po jep rezultate konkrete. Ai thotë se nuk është bërë punë e mirë as në fushën e njohjeve. Thotë se Qeveria dhe politika e jashtme po vetëmohohen dhe po improvizojnë.

Lajme

02/04/2014 07:19

Ish-Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni mendon se politika e jashtme e Kosovës ka një dinamikë të plogësht.

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Hyseni thotë se pret ndryshime që pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën të ndryshojnë qëndrimin e tyre, por njohja nga ta “nuk do të jetë rezultat i kësaj Qeverie”.

“Politika e jashtme e Kosovës përcillet nga një dinamikë shumë e plogësht, pa rezultate të prekshme, madje edhe në fushën e njohjeve, ku gjoja është investuar shumë, ka deficit të madh dhe rezultatet janë tepër modeste”.

“Pres ndryshime sa i përket pesë vendeve të Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur Kosovën. Por, ato lëvizje nuk janë duke ardhur dhe nuk do të vijnë si rezultat i punës së kësaj Qeverie, sepse kjo Qeveri është duke bërë shumë pak që të ndryshojë qëndrimin e këtyre pesë vendeve”.

Hyseni mendon se politika e jashtme po vetëmjaftohet me improvizime. Ai insiston se diplomacia kosovare nuk po ka përmbajtje të mirëfilltë po gjithçka po bëhet sa për të lënë përshtypje në opinion se po “bëhet diçka”.

“Kjo Qeveri dhe politika e jashtme po vetëmjaftohen me improvizime dhe nuk po punojnë. Një politikë e jashtme e cila mjaftohet me fusnotë dhe me improvizime të fusnotës, atëherë nuk insiston në përmbajtje të mirëfilltë dhe për rezultate përmbajtjesore, por insiston në improvizime sa për të lënë përshtypje në opinion është duke u bërë diçka”, tha për Epoka e Re, Skënder Hyseni.