Kosova pjesëmarrëse në Takimin Plenar LX të COSAC-ut në Austri

Kosova në Takimin Plenar LX të COSAC-ut në Austri po përfaqësohet nga Blerta Deliu, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe zëvendëskryetari i këtij komisioni, Armend Zemaj.

Lajme

20/11/2018 13:40

Blerta Dieliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe Armend Zemaj, zëvendëskryetar, po marrin pjesë në takimin Plenar LX të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), që po mbahet në Vjenë të Austrisë, nga 18 – 20 nëntor 2018.

Ky takim plenar i COSAC-ut është organizuar në kuadër të dimensionit parlamentar nga Presidenca Austriake e Këshillit të Bashkimit Evropian, shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, temë kryesore e këtij takimi ishin: gjendja aktuale në të cilën ndodhet Bashkimi Evropian gjatë Presidencës Austriake të Këshillit të BE-së, çështja e Brexit – gjendja aktuale, politikat rreth klimës dhe Bashkimit Energjetik, si dhe transparenca e Bashkimit Evropian për qytetarët e saj në ditën e zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian.

Gjatë zhvillimit të punimeve të takimit të COSAC-ut, Deliu-Kodra dhe Zemaj janë takuar me përfaqësues të ndryshëm të parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së dhe kanë diskutuar lidhur me mbështetjen e tyre ndaj Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe rreth procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Gjithashtu, deputetët Deliu-Kodra dhe Zemaj kanë kërkuar mbështetjen e këtyre përfaqësueseve të komisioneve parlamentare për çështje të BE-së të shteteve anëtare në çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, në këto takime është diskutuar rreth perspektives evropiane të Kosovës dhe mundësitë e bashkëpunimit kryesisht ndërmjet komisioneve homologe.

Në këtë konferencë të COSAC-ut morën pjesë përfaqësuesit e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, Parlamenti Evropian, shtetet me statusin e vendit kandidat dhe kandidat potencial, vendet e partneritetit lindor etj.​ /Lajmi.net/