Kosova para Shqipërisë për standardet e sigurisë ushqimore

Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti ua ka bërë të qartë sot bizneseve që operojnë në Shqipëri se kushdo që nuk plotëson standardet europiane të prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore do të nxirret jashtë tregut shqiptar.

Lajme

10/12/2014 18:51

Këtë deklaratë ministri e bëri gjatë konferencës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, me temë “Konsolidimi i sigurisë ushqimore, sfidë për të ardhmen”, i pari takim që zhvillohet pas krijimit të këtij institucioni që në vitin 2010-të.

Panariti shtoi se po ndërmerret një reformë që do të rrisë sigurinë ushqimore në vend sipas standardeve të BE, pasi aktualisht Shqipëria operon me standarde të dekadave më parë, që nga viti 1987.

Panariti theksoi së në këtë drejtim Kosova ka bërë shumë hapa përpara në krahasim me Shqipërinë.

Edhe drejtori i AKU, Afrim Bakaj theksoi se bilanci i punës së këtij institucioni është pozitiv. Ai foli edhe për unfikimin e standardeve të sigurisë ushqimore me shtetin e Kosovës, duke përdorur gjatë inspektimit të njëjtën certifikatë fitosanitare.

“Në kuadër të ndërgjegjësimit të konsumatorit dhe të problematikave të hasura, gjatë startimit të legjislacionit në fuqi apo përmirësimit të këtij të fundit janë realizuar disa takime me shoqata të ndryshme të biznesit dhe konsumatorit. Janë realizuar marrëveshje me institucionin homologe të Kosovës, për unifikimin e procedurave në pikën e inspektimit kufitar Morinë, me qëllim shkurtimin e kohës së inspektimit dhe shkurtimin e barrierave artificiale për operatorët e biznesit. Aktualisht jemi në fazën e unifikimit të certifikatës fitosanitare veterinare si dhe njohjen e rezultateve të analizave të kryera nga dy vendet tona”, tha drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri.