Kosova pa strategji konkrete për punësim

Kosova s’ka ligje të implementueshme në praktikë për të rritur numrin e punëtorëve. Universiteti i Prishtinës ende mbetet i pazot të prodhojë studentë të cilët mund të hyjnë dhe ta përparojnë tregun kosovar.

Lajme

18/12/2013 17:17

Kosova nuk ka një strategji konkrete të rritjes ekonomike dhe shtimit të punëtorëve, është thënë sot në një konferencë ku u publikua një hulumtim i Institutit për Studime të Avancuara (GAP).

Hulumtimi i titulluar “Vlerësimi i Strategjisë së Punësimit: nevoja për një strategji konkrete” vëren tri çështje në të cilat ka synuar të arrijë strategjia e punësimit e që përfshijnë përmirësimin e klimës së investimeve, arsimin formal dhe trajnimin profesional të kapitalit njerëzor dhe modernizmin e institucioneve të tregut të punës.

Por një strategji e re dhe më konkrete doli të jetë e nevojshme nga diskutimi i kësaj organizate.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas ASK’së është 44% me 227.464 persona që presin të punësohen.

Duke e pasur një nivel kaq të lartë të papunësisë GAP rekomandon qësot, që qeveria e Kosovës të publikojë një strategji të re të punësimit për një periudhë më afatgjatë.

Hafiz Lekaj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se është bërë një stabilizim i lëvizshmërisë së regjistruesve që kërkojnë punë kohëve të fundit.

“Tani kemi bërë një stabilizim të lëvizshmërisë së regjistruesve që kërkojnë punë, dhe momentalisht mund të themi se kemi diku rreth 83 mijë punëkërkues aktivë në Kosovë, pra në mënyrë aktive kërkojnë punë”.

“Por kemi edhe 259 mijë e cila vazhdon të jetë pasive, në njëfarë mënyre e interesuar pak ose e gjysmë interesuar”.

Time Kadrijaj nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale thotë se në vendin tonë mungojnë ligjet e implementueshme të cilat do të ndryshonin gjendjen në praktikë.

“Ministritë duhet të sjellin ligje në përputhje me ligjet e BE’së dhe të jenë ligje të implementueshme në praktikë.

“Me këtë strategji të punësimit që e ka sjellë Ministria e Punës aspak nuk ka  sjellur ndonjë dobi, qoftë në zvogëlimin e papunësisë apo në rritjen ekonomike në shtetin e Kosovës”.

“Njësitë që japin statistika siç është Ministria e Punës, Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Trusti Pensional në fakt këto 3 njësi nuk bashkëpunojnë, nuk bashkërendisin qëndrimet dhe sjellin shifra jo të saktë për opinionin, numrin e papunësisë dhe rritjes ekonomike”.

Ndërsa Bardhyl Meta nga Oda Ekonomike Gjermane, thotë se thithja e investimeve të jashtme në Kosovë rezulton të jetë në rënie drastike.

“Sa i përket thithjes së investimeve në Kosovë nga viti 2007 deri më sot kemi një rënie drastike të investimeve të huaja direkt në Kosovë”.

“Kosova ka qenë në vitet e ’70 dhe ’80 për mineralet dhe xeheroret e saj, në këto 10 vjet ka mundur të paktën të ndërtohet një kompleks industrial për përpunimin e metaleve i cili do t’i shërbente diku 20 minierave që janë fjetura e që asnjëra prej tyre nuk është arritur të hapet ose të sillet një investor që të paktën njërën prej tyre ta hapë”.

Në diskutim, ndër të tjerash u tha se në Kosovë nuk mund të gjesh punëtorë të kualifikuar me norma dhe standard evropiane. Por, kjo nuk vjen nga mangësia e inteligjencës, por në këtë vend nuk ka Universitet i cili nxjerr një kontabilist dhe një ekonomist i cili menjëherë vije me një kompani dhe drejton financa.