Kosova pa shërbime kardio-kirurgjike për fëmijë – Lajmi.net
Kosova pa shërbime kardio-kirurgjike për fëmijë
Autori: Lajmi.net LajmeNacionaleSociale 9:48, 6 August 2017
Kosova vazhdon të mos ketë shërbim kardio-kirurgjik për fëmijët. Zyrtarë shëndetësorë thonë se janë rreth 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër. Prej tyre rreth 200 kanë nevojë për trajtim kirurgjikal, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, sipas pediatrit Ramush Beiqi, nuk ka kushte që të bëjë as diagnostikimin e fëmijëve me sëmundje në zemër. Ai thotë se prej vitesh nuk ka përparim në këtë fushë.

“Sa i përket sëmundjes së zemrës te fëmijët kemi ngecje, përparim assesi. Në aspektin e diagnostikës, zhvillimit të shërbimit të kardiologjisë, kardiokirurgjisë, gjithkund ka ngecje. Ky shtet nuk është i interesuar të bëjë përparime, paguan para të majme jashtë vendit për shërbime. Iniciativat ekzistojnë, por nuk ka pasur përkrahje”, thote Beiqi.

Por, në Kosovë që nga viti 2008 kishte filluar iniciativën doktor Mazllum Belegu përmes organizatës “Gift of Life”, për tëbërë të mundur trajtimin kirurgjikal të fëmijëve me probleme në zemër. Kjo iniciativë është humanitare dhe prindërit e fëmijëve nuk paguajnë asgjë për operacionet në zemër.

Belegu thotë se fillimisht e kishin dërguar një fëmijë në Amerikë për operim, Ndërsa, nga viti në vit kur edhe grupi i mjekëve amerikan kishte ardhur për vizitë në Kosovë, kishte bërë të mundur që më shumë se 90 fëmijë të dërgohen për operim kryesisht në Amerikë, por edhe në vende tjera dhe e gjitha është bërë falas në mënyrë vullnetare.

“Në vitin 2012 kemi organizuar një mision, ku amerikanët kanë ardhur dhe kanë bërë përzgjedhjen e fëmijëve të sëmurë për operacione në zemër, duke i dërguar kryesisht në Amerikë, por edhe në vende tjera. Dhe, që nga atëherë ky shërbim vullnetar nuk është ndalur asnjëherë, ndërsa 90 fëmijë deri tash janë trajtuar jashtë vendit” , bën të ditur Belegu.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Gift of Life”, Robert Raylman, vlerëson se Kosova është në krizë sa i përket fëmijëve të lindur me anomali në zemër.

Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se nga 200 fëmijë në vit që kanë nevojë të trajtohen nga sëmundjet e zemrës, vetëm 10 për qind e tyre e kanë këtë mundësi.

“Organizata, si kjo e jona, u ndihmon fëmijëve që t’ua shpëtojë jetën, por kërkon ndihmë nga Qeveria e Kosovës që të formojë një program i cili do t’u mundësonte fëmijëve që të diagnostikohen në mënyrë të duhur dhe të trajtohen. Ne kërkojmë bashkëpunim me Qeverinë, por edhe me organizata të tjera joqeveritare për të formuar një program që t’i ndihmojmë këta fëmijë”.

“Ne kemi ndihmuar më shumë se 90 fëmijë nga Kosova, derisa Ministria e Shëndetësisë ndihmon me të holla për biletat për udhëtim jashtë vendit. Por, ne shpresojmë që të krijohet programi që këta fëmijë të diagnostikohen në Kosovë”, thotë Raylman.

Zeqir Ovuda nga LLausha, është prindi i 12-vjeçarit, i cili ka lindur me anomali në zemër. Ai thotë se tash e 10 vjet pret që mjekët kardiologë nga Kosova të japin një përgjigje për fëmijën e tij, se çka do të ndodhë me shëndetin e tij, por këtë asnjëherë nuk e ka marrë.

“Ne kemi dëgjuar për këtë grup mjekësh që kanë ardhur nga Amerika. Unë e kam sjellë djalin, ai është 12-vjeçar. Kemi bërë kontrolle në Kosovë, por nuk kanë bërë asgjë. Qe 10 vjet po presim… Tash të shoh me mjekët amerikanë, se a do të mund të më ndihmojnë”, tregon Ovuda.

Ndryshe, nga Ministria e Shëndetësisë, Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit në detyrë, thotë se nuk kanë fond të veçantë për trajtimin e fëmijëve që kanë anomali në zemër.

”Sa i përket trajtimit me probleme kardio-kirurgjike, Ministria e Shëndetësisë nuk ka fond të veçantë për sëmundje të caktuara, por është fondi prej 6 milionë eurosh që iu ndihmon pacientëve që të marrin shërbime jashtë vendit, në mungesë trajtimi brenda Kosovës. Kjo bëhet varësisht nga kërkesat e pacientëve”.

”Tashmë shërbimi i Kardiokirurgjisë ka filluar së funksionuari dhe ka progres në këtë drejtim, por jo te fëmijët. Mirëpo, ka bashkëpunim të mirë me shoqata të ndryshme vullnetare humanitare. Mund të them se edhe shtetet e tjera më të zhvilluara, trajtimet kardiokirurgjike i trajtojnë në vende të caktuara jashtë vendit të tyre”, deklaron Krasniqi.

Emiratet e Bashkuara Arabe tashmë kanë zyrtarizuar fillimin e planeve për ndërtimin e një qendre Pediatrike Kirurgjike në Prishtinë.

Për ndërtimin e kësaj qendre, do të dhurohen 22 milionë euro, dhe parashihet të hapet në verën e vitin 2017. Spitali, sipas zyrtarëve kompetentë, do të jetë i pajisur me teknikë moderne.

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Pro Kicker Frenzy
  • Play Bow Master
  • Play Supercar Showdown
  • Play Urban Basketball