Kosova nuk rrezikohet nga Ebola

Epidemia “Ebola”, e cila që nga shkurti ka marrë rreth 700 jetë njerëzish në Afrikën Perëndimore, e që konsiderohet si njëra prej epidemive më të rrezikshme, nuk rrezikon që të shpërthejë edhe në Kosovë.

Lajme

05/08/2014 11:36

Mirëpo, në rast se kjo gjë mund të ndodhë, Ministria e Shëndetësisë së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është e përgatitur dhe ka marrë të gjitha masat e duhura.

Sipas Faik Hotit, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, epidemia “Ebola”, nuk parashihet që të ketë ndonjë shpërthim masiv, madje siç pohoi ai kjo epidemi përhapet vetëm me rrugë ajrore.

“Në fakt në bazë të zhvillimit të deri tanishëm të epidemisë e cila ka goditur disa vende të Afrikës Perëndimore nuk parashihet që të ketë ndonjë shpërthim masiv në kontinentet e tjera duke pasur parasysh faktin se për dallim nga disa virusë tjerë, virusi i Ebola nuk përhapet me rrugë aerogjenë por me rrugë ajrore. Megjithatë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë që të gjitha sistemet shëndetësore të vendeve të ndryshme të jenë të përgatitura, t’i mobilizojnë kapacitetet e veta dhe të jenë në gjendje gatishmërie për t’u përballur me raste eventuale. Tash për tash OBSH-ja nuk ka rekomanduar masa ekstreme, karantinë apo ndonjë masë tjetër, mirëpo sidoqoftë kujdesi asnjëherë nuk është i tepërt dhe sistemet shëndetësore të secilit vend duhet të jenë të përgatitura për t’u ballafaquar me ndonjë rast eventual”, ka thënë Hoti.

Hoti tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është në gjendje që të marrë masa preventive duke filluar nga edukimi shëndetësor dhe fuqizimi i kapaciteteve të ndryshme, madje siç u shpreh ai, është e rëndësishme që të mos ketë panik dhe shqetësim tek qytetarët.

“Zakonisht viruset nuk zgjedhin mosha por përhapen prej një personi në tjetrin. Te rasti i Eboles përhapja ndodh përmes kontaktit me persona të infektuar apo përmes lëngjeve trupore, kështu që kjo ndoshta është edhe një përparësi me raport me viruset tjerë”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, Skender Syla, kryetar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, tha përmes telefonit se epidemia e Eboles është e përhapur në Afrikën Perëndimore dhe se nuk ka ndonjë rrezik eventual që kjo të ndodhë edhe në Kosovë.

“Për momentin nuk ka ndonjë rrezik për hapjen e kësaj epidemie për arsye se rastet janë në katër vende të regjionit të Afrikës Perëndimore. Por pavarësisht prej situatës ne i kemi dhënë rekomandimet institucioneve të Kosovës që të bëjnë përgatitjet e duhura”, ka thënë ai.

Sipas tij, OBSH-ja në mënyrë të përhershme i njofton autoritetet shëndetësore të Kosovës për gjendjen epidemike të sëmundjeve të vjetra.

Kurse, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tha se kanë marrë të gjitha masat preventive dhe se është i përgatitur për çdo rast eventual, por se rreziku sipas tij që kjo epidemi të përhapet edhe në Kosovë është i vogël.

Ndryshe, epidemia “Ebola”, transmetohet në kontakt të drejtpërdrejtë me gjakun, lëngjet biologjike dhe me lëkuren e njerëzve dhe kafshëve të infektuara. /KosovaPress/