Kosova nuk i njeh diplomat e universiteteve private në Shqipëri

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë shqiptare që të mbyllë disa nga institucionet private të arsimit të lartë, të cilat nuk kanë qenë të akredituara.

Lajme

06/08/2014 09:28

Por, ky vendim mundet të mos jetë i mirëseardhur për ata qytetarë të Kosovës të cilët kanë studiuar atje.

 Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë për “Epoka e Re”, se MASHT asnjëherë nuk ka nostrifikuar diploma të ardhura nga institucione të arsimit të lartë privat në Shqipëri, për shkak të cilësisë së dobët. Madje ai thotë se MASHT ka paralajmëruar kohë më parë se nuk do të njoh diploma të tilla.

“MASHT asnjëherë nuk ka nostrifikuar asnjë diplomë të institucioneve të arsmit të lartë privat në Shqipëri nga informacionet që kemi pasur për cilësinë e dobët të atyre diplomave. Disa herë i kemi njoftuar edhe institucionet e arsimit në Shqipëri, por në të kaluarën nuk është marrë ndonjë masë”.

“Ne nuk do të t’i trajtojmë ato diploma për arsye se vet qytetarët e Kosovës, të cilët kanë shkuar për të studiuar në institucionet private, sa herë që kanë pyetur në MASHT, ne u kemi thënë se diplomat e tyre nuk nostrifikohen sepse nuk janë të akredituara apo nuk janë pjesë e rrjetit ENKA. Thjesht, ne e kemi ruajtur shtetin nga hyrja e atyre diplomave pa kriter”, ka shtuar më tej Mustafa.

Zëvendësministri Mustafa është shprehur i shqetësuar se në institucionet e Kosovës, punojnë persona të cilët kanë diplomuar në universitete private në Shqipëri.

“Ju e keni parë në atë listë ka institucione të arsimit të lartë për diplomat e të cilëve çdoherë kemi ngritur shqetësimin tonë, siç është rasti me Universitetin ‘Kristal’. Sipas informacioneve tona, në shëndetësinë e Kosovës defilojnë njerëz me diploma që i kanë marrë në këtë universitet. Diplomat janë të dyshimta sepse janë marrë për një afat shumë të shkurtër. Fatkeqësitë, zyrtarë të shumtë punojnë në institucionet shtetërore me ato diploma edhe pse të panostrifikuara”, ka thënë Mustafa për “Epoka e Re”.