Kosova nuk i dorëzohet presionit, edhe 24 orë bëhet me Ushtri

Nesër në Kuvendin e Kosovës do të votohet ndryshimi i ligjeve me anë të të cilave do të bëhet transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Lajme

13/12/2018 10:04

Mirëpo, kjo temë ka ngjallur reagime të shumta.

Serbia, e tensionuar edhe pas vendosjes së taksës nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe, ka reaguar fuqishëm kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës, madje duke lobuar tek shumica e vendeve të fuqishme të botës për ta ndaluar këtë proces, shkruan lajmi.net.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, madje ka kërcënuar se Serbia mund të ndërhyjë ushtarakisht në rast se Kosova formon ushtrinë e saj, e dje, ministri i brendshëm serb, Aleksandar Vulin u ka dërguar letër 53 ministrave të vendeve të ndryshme të botës me qëllim që të ndikojnë në ndalimin e formimit të ushtrisë.

Në anën tjetër, ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Sloltenberg, i cili paralajmëroi Prishtinën se do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Ai madje kishte thënë se ky proces po ndodh “në një moment mjaftë të papërshtatshëm” dhe se nuk janë respektuar procedurat.

Edhe Bashkimi Europian kishte ndjekur qëndrimet e NATO-s në lidhje me këtë proces. Ata thanë javën e kaluar se transformimi duhet të ndodhë vetëm me anë të një procesi gjithëpërfshirës dhe në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

E në lidhje me këtë, kryeministri i vendit Haradinaj u shpreh se: “krijimi i ushtrisë apo mandatimi i Ushtrisë është proces i brendshëm është në përputhje me Kushtetutën tonë, më të avancuarën në botë”.

Vendet anëtare të NATO-s të cilat ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës ishin si gjithmonë, ato që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, mirëpo kishte edhe vende të tjera të fuqishme që u shprehen skeptike në lidhje me këtë.

Turqia, një vend i fuqishëm tha se Kosova nuk duhet të bëjë hapa të ngutshëm.

Në anën tjetër Gjermania zyrtare tha se Kosova ka të drejtën të ketë ushtri, por përfaqësuesi i Gjermanisë në NATO përmendi respektimin e Kushtetutës.

Mirëpo, as reagimet e Serbisë dhe as qëndrimet e NATO-s dhe BE-së nuk ndikuan që Kosova të tërhiqet nga transformimi i FSK-së në ushtri.

Dhe kjo si duket ka ndodhur pasi liderët e vendit morën konfirmimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të çuar përpara këtë proces.

Madje, kryeparlamentari, Kadri Veseli gjatë qëndrimit të tij në SHBA në bazën ushtarake në Ohio, i pa disa nga mjetet ushtarake të cilat do të jenë të Ushtrisë së Kosovës menjëherë pas transformimit.

Një shtet tjetër që fuqishëm ka përkrahur formimin e Ushtrisë së Kosovës është Britania e Madhe. Madje, dje edhe ambasadori britanik në Kosovë Ruari O’Connell në një përgjigje për lajmi.net, tha se Kosova ka të drejtën e formimit të Ushtrisë.

“Mbretëria e Bashkuar beson se është e drejtë e Kosovës të krijojë forcat e saj të armatosura. Ne vazhdojmë të inkurajojmë Kosovën të sillet me përgjegjësi dhe me transparencë, dhe në konsultim me aleatet e NATO, dhe të respektojë angazhimin e saj ndaj KFOR-it, përshirë edhe shkëmbimin e letrave të viti 2012-2013”, thuhej në përgjigjen e tij.

E dje, nënkryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, dje ka reaguar kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës duke thënë se Kosova po dëshiron të bëjë zjarr politik.

Por, institucionet e Kosovës po qëndrojnë mbrapa vendimit për këtë proces. Me gjithë reagimet pro dhe kundër, vërejtjet e NATO-s, kërcënimet dhe propagandën e Serbisë, nesër në Kuvendin e Kosovës pritet të votohen ligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri. /Lajmi.net/