Kosova nis të lëshojë pe, edhe Pacolli kërkon heqjen e taksës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova nuk mund të refuzojë kërkesën e Amerikës për heqjen e taksës ndaj Serbisë e Bonje dhe Hercegovinës.

Lajme

16/01/2019 16:59

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se shteti i Kosovës nuk mund të refuzojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës.

Këto komente Pacolli i ka dhënë në televizionin publik, pas kërkesës së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare që ka kërkuar nga Kosova heqjen e kësaj takse.

Pacolli në këtë intervistë po ashtu ka thënë se do të bisedojë me kryeministrin Ramush Haradinaj për mundësinë e përgjigjes pozitive ndaj SHBA-së.

Duke folur për diplomacinë kosovare, Pacolli ka shprehur keqardhje që puna e tij është vështirësuar për shkak të mungesës së unitetit nga zyrtarët shtetërorë.

Tutje në këtë intervistë Pacolli ka pranuar se qëndrimet e ndryshme të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me dialogun me Serbinë krijojnë paqartësi.

Sipas tij, në dialogun me Serbinë, Kosova mund të bëjë disa kompromise, të cilat, siç tha ai, “do të ndodhin në kuadër të demarkacionit me Serbinë”.

Pacolli  po ashtu beson se opozita në Kosovë do t’i bashkohet ekipit negociator për dialogun me Serbinë.