Kosova nënshkruan marrëveshje për qasjen në programet e BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka takuar sot përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, me të cilën ka nënshkruar marrëveshjen për qasjen e Kosovës në programet e BE-së.

Lajme

25/11/2016 11:04

Marrëveshja e nënshkruar sot për qasje të Kosovës në programet e BE-së, është marrëveshja e dytë kontraktuale pas marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së.

Kryediplomati kosovar  ka thënë se arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi që me nënshkrimin e saj Kosova do të përfitojë qasje në programe dhe projekte konkrete ku do të mund të aplikojnë sektori privat, sektori publik, shoqëria civile, institucionet akademike dhe qytetarët e Kosovës.

“Arritja e kësaj marrëveshje është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për shkak që i mundëson sektorit privat dhe publik, shoqërisë civile, institucioneve akademike, si dhe qytetareve të Kosovës të konkurrojnë për fonde dhe projekte në kuadër të programeve. Programet kanë fushëveprimtari të ndryshme si hulumtimi dhe inovacioni, energjia dhe transporti, shëndetësia, kultura, arsimi, sporti, rinia, zhvillimi i ndërmarrësisë dhe konkurrencës, mbrojtja e ambientit, punësimi, politikat sociale e shumë fusha të tjera”, ka thënë Hoxhaj.

Kosova vazhdimisht ka shprehur interes të marrë pjesë në këto programe, dhe në vitin 2009 për herë të parë Komisioni Evropian rekomandoi që të shqyrtohet mundësia e Marrëveshjes Kornizë me Kosovën.