Kosova në ‘zonën e kuqe’ të korrupsionit

Transparency International thotë se treguesit e këtij viti janë paralajmërim se shpërdorimi i pushtetit, allishverishet e fshehta e rryshfetet u sjellin shkatërrim shoqërive kudo. Kosova këtë vit rradhitet në vendin e 111'të së bashku me Tanzaninë e Etiopinë.

Lajme

03/12/2013 08:38

Organizata Transparency International ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, duke renditur 177 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.

 

Ne kete raport, TI uli disa pikë më poshtë Shqipërinë dhe Kosovën në renditjen përsa i përket perceptimit të korrupsionit, krahasuar me vitin e kaluar.

 

Kosova këtë vit rradhitet në vendin e 111-të (së bashku me Tanzaninë dhe Etiopinë), për dallim nga viti i kaluar kur kishte shënuar përparim simbolik dhe kishte zënë vendin e 105-të, sipas RFE.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë, e cila renditet në vendin e 116-të. Shqipëria, vitin e kaluar, mbante pozitën e 113-të.

Në fakt, janë vetëm Kosova dhe Shqipëria dy vendet që janë rradhitur në “zonën e kuqe” të korrupsionit.

Rënie vërehet edhe përsa i përket rezultatit të arritur nga këto dy vende në perceptimin e korrupsionit.

Shqipëria nga 33 pikë bie në 31 ndërsa Kosova nga 34 në 33 pikë. Dy vendet me rezultatin më të lartë janë Danimarka dhe Zvicra.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, si Shqipëria edhe Kosova janë më poshtë se Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Serbia dhe Moldavia.

Në raportin e saj, organizata Transparency International thotë se treguesit e këtij viti janë një paralajmërim se shpërdorimi i pushtetit, allishverishet e fshehta dhe rryshfetet vazhdojnë t’u sjellin shkatërrime shoqërive kudo në botë.

Treguesi i perceptimit të korrupsionit bazohet mbi mendimet e ekspertëve lidhur me korrupsionin në sektorin publik. Treguesi i këtij viti rendit Danimarkën si vendi më pak i korruptuar dhe Somalinë në vend të fundit.