Kosova në vitin 2016 ka eksportuar 1,038 miliardë euro shërbime

Sipas “Raportit për Tregtinë në Shërbime - Bilanci Tregtar 2016,” përgatitur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës rezulton se tregtia në shërbime në Kosovë për vitin 2016 ka arritur në total prej 1,498 miliard euro.

Lajme

30/04/2017 15:18

Nga kjo shumë, eksporti i shërbimeve ishte 1,038 miliard euro, ndërsa importi arriti shumën prej 460 milion eurove.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se Kosova ka shënuar përparime në fushën e eksporteve.

“Kjo tregon se vendi ynë ka shënuar një bilanc tregtar pozitiv prej 579 milionë eurove”, ka treguar Bajrami.

Në vitin 2015, eksporti i përgjithshëm në tregtimin ndërkombëtar të shërbimeve ishte 887 milionë euro, përderisa importi ishte 467 milionë euro.

“Viti 2016 shënoi një trend mjaft pozitiv të rritjes së eksportit të shërbimeve me 151 milionë euro më shumë të hyra ose 17% me shumë se sa në vitin 2015”, shkruan Hykmete Bajrami, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë. /Express/