Kosova në orët e fundit para rekomandimit për liberalizim

Kosova nesër pritet ta marrë një lajm shumë të mirë. Më në fund, izolimit gati 30 vjeçar të kosovarëve, po i vjen fundi. Vendi pritet ta marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave.

Lajme

03/05/2016 23:54

Ky rekomandim pritet të bëhet nesër nga Komisioni Evropian i cili tashmë ka publikuar edhe agjendën e vet të punës.

Kosova në këtë agjendë figuron në pikën e 14 dhe 15. Në pikën e 14 pritet që komisioni të deklarohet nëse  Kosova ka përmbushur kushtet.

Bazuar në të gjitha deklarata zyrtare dhe publike të ardhura nga Brukseli, tashmë është bërë e qartë se do të deklarohet  edhe zyrtarisht se vendi i ka përmbushur kriteret e kërkuara, raporton lajmi.net.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andrevas ka deklaruar se kolegjiumi i komisionarëve nesër do të diskutojë gjendjen e fundit të Kosovës lidhur me plotësimin e standardeve për liberalizimin e vizave, për të parë nëse duhet apo nuk duhet bërë propozimin legjislativ për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Dokumenti

Sipas saj, vendimi është i pashmangshëm nëse të gjitha standardet janë plotësuar

Ndërkohë, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka konfirmuar se nesër në Bruksel, rekomandohet heqja e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Zyrtarisht konfirmohet ajo çfarë kemi paralajmëruar. Kolegji i Komisionarëve të BE’së nesër vendos për dhënien e rekomandimit për liberalizimin e vizave”, ka thënë Çollaku.

Paralelisht me këtë mbledhje në Bruksel, të enjten  në Prishtinë do të vijë për vizitë zyrtare, edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederica Mgherini.

Ajo pritet t’i drejtohet dhe Kuvendit të Kosovës me një fjalim të posaçëm dhe për këtë arsye, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, presidenti dhe kryeministri i vendit kanë bërë të qartë se tashmë Kosova i ka përmbushur kushtet dhe shumë shpejt do të ketë liberalizimin, raporton lajmi.net.

Madje sot, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, deklaroi në një takim me gazetarët për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit se pas rekomandimit të nesërm, qytetarët brenda 7 deri 8 javësh do të mund të udhëtojnë pa viza./lajmi.net