Kosova në 2013, rënie e papunësisë dhe rritje e punësimit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2013, sipas të cilave del se vitin e kaluar ka pasur rënie të papunësisë dhe rritje të punësimit krahasuar me vitin 2012.

Lajme

07/07/2014 18:17

Sipas ASK-së, anketa ka pasur shtrirje në 600 qarqe regjistruese, ku janë intervistuar 4,800 ekonomi familjare. Mostra ka pasur shtrirje në tërë territorin e vendit, duke përfshirë edhe veriun e vendit. Përzgjedhja e mostrës është bërë përmes metodës së rastit. Ekonomitë familjare kanë pasur një anketim dhe tri rianketime.

Sipas rezultateve të kësaj ankete, në Kosovë vitin e kaluar ka pasur një përmirësim të shkallës së punësimit, ndërsa shkalla e papunësisë ka shënuar rënie të lehtë.

“Shkalla e papunësisë në vitin 2012 ishte 30.9%, ndërsa në vitin 2013 ajo ra në 30.0%, gjë që kemi një rënie të lehtë nga viti 2012 në vitin 2013 për 0.9%. Sa i përket shkallës së punësimit në vitin 2012, shkalla e punësimit ishte 25.6%, ndërsa në vitin 2013 shkalla e punësimit rezulton me 28.4%. Po t’i krahasojmë me rezultatet e anketës së vitit 2012, në vitin 2013 kemi një rritje të shkallës së punësimit për rreth 2.8%”, thuhet në raportin e ASK-së.

Këto rezultate është dashur të publikohen para një muaji e gjysmë, por ASK-ja ka pasur nevojë për ekspertizë ndërkombëtare për kontroll, përpunim dhe finalizim të këtyre të dhënave, andaj edhe ka ndodhur kjo vonesë kohore.