Kosova ndërpret dialogun me Serbinë

Qeveria dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk e shohin të arsyeshëm vazhdimin e dialogut me Beogradin në procesin që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, përderisa pala serbe të mos zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Lajme

16/03/2015 16:33

Valon Murtezaj, këshilltar për punë të jashtme i kryeministrit të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Prishtina zyrtare kërkon që të ketë një pasqyrë të qartë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog, para se të hapen temat e tjera.

“Qëndrimi i kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës është se duhet të kemi evidencë, tregues të qartë të progresit në zbatimin e marrëveshjeve paraprake të arritura, në mënyrë që të mund të vazhdohet qoftë me marrëveshje të reja apo të bisedohen çështje tjera”, ka thënë Murtezaj.

Sipas Murtezajt, vazhdimi i dialogut përderisa nuk ka zbatim të marrëveshjeve paraprake, do të ishte i pakuptimtë. Ai ka veçuar disa nga marrëveshjet që pala serbe, sipas tij, nuk i ka zbatuar dhe të cilat, Kosova insiston që të zbatohen, për të vazhduar tutje me takimet e radhës në nivel të kryeministrave në Bruksel.

Këshilltari i kryeministrit, Valon Murtezaj
Këshilltari i kryeministrit, Valon Murtezaj

 

“Prioritetet për t’u zbatuar janë, Marrëveshja e Drejtësisë e arritur së fundi, pastaj zhbërja e strukturave paralele apo siç quhen nganjëherë paramilitare apo të mbrojtjes civile dhe integrimi i tyre në institucionet e Republikës së Kosovës konform rregullave, pastaj lëvizja e lirë, përfshirë edhe heqjen e barrikadave, siç është një prej tyre mbi Urën e lumit Ibër, si dhe ndalimin e emërimit të strukturave të reja paralele”, ka theksuar Murtezaj.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, pritet që të vizitojë Kosovën në fund të këtij muaji. Kjo vizitë në Prishtinë po shihet edhe si një mundësi për të shpalosur qëndrimet dhe shqetësimet në lidhje me dialogun me Serbinë dhe ngecjet e evidentuara rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura.