Kosova mundësi e mirë për bizneset e Londrës

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) së bashku me Odën Ekonomike të Londrës kanë organizuar forumin ekonomik me qëllim që t’i jepet mundësi bizneseve vendore të ndërtojnë ura të bashkëpunimit me bizneset e Londrës.

Lajme

17/05/2017 12:08

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se përveç që këto takime sjellin bashkëpunime ekonomike në mes të bizneseve tona dhe atyre britanike, në të njëjtën kohë përmirësohet imazhi i Kosovës.

“Ajo që e veçon bashkëpunimin me Odën britanike dhe komunitetin e biznesit dhe të njëjtën kohë me përfaqësuesit e Britanisë me të cilët kemi marrëdhënie politike shumë të mira, dhe dua të besoj që opinioni i tyre do të jetë pozitiv.

“Do të bindeni se Kosova është shumë më e bukur nga brenda, sesa analizohet nga jashtë, dhe si Odë Ekonomike do të bëjmë që bashkëpunimi ekonomik të na ofrojë edhe më tepër”, tha Gërxhaliu, raporton Ekonomia Online.

“Vetëm në vitin 2017 i kemi pasur 24 Forume Ekonomike nga të cilat kemi ndërtuar ura bashkëpunimi në aspektin bilateral. Vet fakti që kemi pasur më shumë se 800 takime do të thotë që po forcohen këto ura. Vetëm me fuqizimin e sektorit privat mund të kemi zhvillim ekonomik, politik, social dhe procese integruese që në të njëjtën kohë do të përmirësojmë imazhin e Kosovës”, tha Gërxhaliu.

“Vetë fakti që ka kaq shumë biznese të Londrës këtu shihet që ka një seriozitet të bashkëpunimit”, shtoi kryetari i OEK-ut, Gërxhaliu.

Gerry Mc Donagh drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Londrës Jugore, tha se fakti që vijnë nga Londra dhe kanë njerëz që drejtojnë bizneset e tyre besojnë që do të ndërtohen ura bashkëpunimi në mes të bizneseve të të dyja vendeve.

“Bizneset të cilat janë anëtare të Odës së Kosovës nëse dëshirojnë të na vizitojnë mund të na kontaktojnë përmes Odës Ekonomike të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, Kreshnik Thaçi nga KIESA në kuadër të MTI-së, tha se Agjencia ka për qëllim mbështetjen e investimeve mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe eksportin për bizneset e huaja dhe të këtushme.

“Për neve është një kënaqësi e veçantë që të bashkëpunojmë me Odën, e sidomos për organizime të tilla që është sjellja e bizneseve të huaja këtu. Njëra prej aktiviteteve është sjellja e investitorëve të jashtëm këtu. Qëllimi jonë është që të lidhim bizneset tona me ato të huaja duke marrë parasysh avantazhet që sjellin bizneset tona këtu. Disa nga avantazhet që sjell Kosova është fuqia punëtore e re, e cila mund të shfrytëzohet nga bizneset e huaja, pastaj janë taksat e ulëta që ka vendi jonë. Po ashtu gjendemi në mes të Ballkanit dhe ne mund të jemi urë lidhëse e tregut me shtetet fqinje”, tha Thaçi.