Kosova mund të përfitojë shumë me zhvillimin e prioriteteve qeveritare

Në fund të konferencës njëditëshe në Prizren, kryeministri Mustafa paraqiti hapat që do të ndërmarrë Qeveria për përmirësimin e kushteve për të bërë biznes, ndërkohë që zyrtarët ndërkombëtarë ofruan mbështetjen e tyre.

Lajme

31/03/2015 21:15

Pas përfundimit të konferencës, në adresim para mediave, kryeministri Isa Mustafa tha se rëndësi themelore e këtij takimi është nxitja e zhvillimit ekonomik.

Drejtoresha e Komisionit Evropian për Evropën Juglindore vuri theksin në thyerjen e ciklit të investimeve të kufizuara.

“Ne u informuam se cilat janë planet prioritare të Qeverisë në një afat të shkurt kohor, dhe për këto çështje ne do të bashkëpunojmë ngushtë për të ofruar mbështetjen tonë. Kosova ka një potencial të mirë për zhvillim ekonomik, andaj me funksionimin e rendit dhe të ligjit, hartimit të politikave zhvillimore në energjetikë, bujqësi dhe të tjera në të ardhmen, Kosova mund të përfitojë shumë”, tha ajo.

Përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar shprehu mbështetjen e vazhdueshme të prioriteteve të qeverisë.

“Ky program qeveritar, i cili sot na u prezantua nga Qeveria, është inkurajues për të ardhmen e Kosovës. Duhet që qasja e realizimit të projekteve sidomos në energjetikë, bujqësi e sektorë të tjerë të rëndësishëm për zhvillim të jetë në nivele të larta, për të arritur objektivat e parapara. BE në një afat 7 vjeçar ka paraparë shpërndarjen e fondeve në këta sektorë”, tha ai.

Kryeministri i vendit foli edhe rreth paralajmërimit të grevës së mësimdhënësve. (RTK)