Kosova me shkallë të lartë të papunësisë – këta janë sektorët ku ka më shumë të punësuar
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tre mujorin e katërt 2017.
Lajme
Sipas këtij publikimi dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.
Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42.9%, ndërsa shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2017 është 29.8%.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 15.1%; ndërtimtaria me 13.1%; prodhimi me 12.1%; dhe arsimi me 10.1%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me një përqindje më të vogël në punësim.
Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 29.3% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.7% kanë kontratë të përkohshme.
Papunësia më e theksuar është te femrat me 37.1 %, krahasuar me meshkujt, 28.7%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.9%.