Kosova me një këmbë në fazën tjetër, gjunjëzon Maltën

Kosova ka shënuar fitore spektakolare në përballjen kundër Maltës, me rezultatin 5:0.

Sport

17/11/2018 19:49

“Dardanët” ishin më të mirë se kundërshtari në secilin aspekt të lojës, duke dominuar dhe mos i dhënë shans kundërshtarit.

Serinë e golave e hapi Vedat Muriqi, i cili në minutën e 15’ realizoi pas asistimit të Milot Rashicës.

Pjesa e parë u mbyll vetëm me atë gol, edhe pse Kosova rrezikoi edhe katër herë të tjera.

Në pjesën e dytë pati një rrebesh të golave nga lojtarët e Kosovës.

Në minutën e 70’ ishte Benjamin Kololli i cili me një super gol dyfishoi epërsinë.

Pas Kolollit, ishte Donis Avdijaj që realizoi golin e tretë në minutën e 78’. Vetëm dy minuta më vonë Avdijaj realizoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin e Kosovës.

Rezultati u vulos nga Milot Rashica, i cili në minutën e 86 realizoi për 5:0.

Me këtë fitore Kosova ruan vendin e parë, me dy pikë më shumë se Azerbajxhani, me të cilët përballemi të martën, në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Lajmi.net/