Kosova me institucion të ri për mjedis më të mirë të bërjes biznes

Me iniciativën e 16 kompanive që zhvillojnë biznes në Kosovë, sot është themeluar Këshilli i Investitorëve Evropian, me qëllim për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Lajme

03/07/2014 20:50

Kjo iniciativë po realizohet pas vlerësimit se në Kosovë nuk ka një mjedis të mirë të të bërit biznes dhe ky këshill, sipas themeluesve, do të ndihmonte këtë proces, raporton KosovaPress.

Me shumicë të votave, president i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropian është zgjedhur Emmanuel Mitsou, drejtor ekzekutiv i kompanisë ‘Sharr Cem’.

“Ky asociacion e ka një detyrë themelore të thjeshtë: detyra kryesore është që të punojmë në disa fusha që ne mendojë se ende nuk janë të rregulluara në kuptimin e mjedisit të të bërit biznes në Kosovë dhe thjesht ishte edhe një pengesë që e kishte penguar zhvillimin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë edhe investimet e BE-së në Kosovë”, tha Mitsou.

Anëtar nderi i këtij këshilli është zgjedhur përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili tha se Këshilli do t’i ndihmoj; institucionet e Kosovës në krijimin e klimës për të bërë biznes.

“Unë e shoh këtë këshill si një partner konstruktiv për Qeverinë dhe institucionet e Kosovës dhe thjesht si një kontribut-dhënës në zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Kosovës përmes kontributit të vet për ta përmirësuar bërjen e biznesit dhe për ta bërë promovimin e investimeve të huaja në Kosovë”, tha ai.

Zhbogar shtoi se Bashkimi Evropian do të jetë i përkushtuar ta ndihmojë Kosovën në zhvillimin ekonomik si një prioritet kyç.

Mbështetëse e këtij këshilli do të jetë edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do të jetë përkrahëse e zhvillimit ekonomik dhe në krijimin e klimës për të bërë biznes. (KosovaPress)