Kosova me dy ekipe në Ligën Ballkanike

Kosova do të përfaqësohet nga dy ekipe në Ligën Ballkanike, sezonin e ardhshëm. Gjithashtu, do të marrë pjesë edhe një ekip junior kosovar, në ligën juniore ballkanike.

Sport

27/05/2014 20:26

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu dhe sekretari i përgjithshëm, Jeton Nixha, kanë qenë pjesëmarrës të martën në mbledhjen e Bordit të BIBL, të mbajtur në Sofje.

Pasi që Shqipëria u pranua zyrtarisht si anëtare e re e Ligës Ballkanike, ku u konfirmua Vllaznia si pjesëmarrëse e re, është marrë edhe në shqyrtim kërkesa e Federatës së Kazakistanit.

Kosova do të prezantohet me dy skuadra në stinorin e ardhshëm, derisa edhe një skuadër juniore do të marrë pjesë në Ligën Juniore Ballkanike, që pritet të fillojë për herë të parë stinorin që vjen.

Afati i fundit për paraqitjen e skuadrave nga Federatat pjesëmarrëse është 10 qershori i këtij viti.

Sa i përket Ligës së Juniorëve, aty do të marrin pjesë meshkujt e lindur pas 1 janarit të vitit 1997.