Kosova me atashe ekonomikë nëpër botë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Oda ekonomike e Kosovës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi me qëllim të promovimit të diplomacisë ekonomike. Kosova muajt e ardhshëm pritet të emërojë edhe atashetë ekonomikë në Washington, Berlin, Londër, Romë dhe Bruksel.

Lajme

29/03/2014 12:52

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Oda ekonomike e Kosovës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi me qëllim të promovimit të diplomacisë ekonomike. Kosova muajt e ardhshëm pritet të emërojë edhe atashetë ekonomik në Washington, Berlin, Londër, Romë dhe Bruksel.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë nënshkruar sot një memorandum të bashkëpunimit me qëllim të promovimit të diplomacisë ekonomike. Shefi i diplomacisë së jashtme, Evner Hoxhaj, tha se diplomacia ekonomike është prioritet i shumë vendeve të mëdha, jo vetëm i shteteve të vogla siç është Kosova.

“Gjatë muajve të ardhshëm dhe gjatë viteve të ardhshme ne do ta kemi mundësinë t’i bëjmë pesë hapa bazik, të cilët do të jenë shumë kyç që Oda Ekonomike e Kosovës dhe Ministria e Punëve të jashtme ta promovojnë diplomacinë ekonomike”.

“Hapi i parë është prezantimi i prodhimeve të Kosovës në tregje jashtë Kosovës në Europën Juglindore, dhe në vendet anëtare të BE’së, hapi i dytë është sjellja e investitorëve të huaj në Kosovë, hapi i tretë organizimi i forumeve ekonomike dhe forumeve të investitorëve brenda dhe jashtë Kosovës, hapi i katërt prezantimi i një imazhi real të Republikës së Kosovës dhe hapi pestë është emërimi i atasheve ekonomik”.

“Në ambasadat kyçe do të ketë atashe ekonomik të cilët do të jenë urë lidhëse në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme me të gjitha ministritë tjera dhe të gjitha komunat tjera, por mbi të gjitha këto do të jenë në dispozicion të OEK, të biznesit të Kosovës dhe të cilët do të bëjnë të pamundurën për bashkëpunim ekonomik në mes të Kosovës dhe Vendeve tjera”.

Sipas Hoxhajt, atashetë ekonomikë do të jenë të vendosur në Washington, në Berlin, në Londër, në Romë dhe në Bruksel. Ai tha se Pavarësia e Kosovës jo vetëm që ka përmirësuar kushtet politike të qytetarëve të Kosovës, por është përcjellë edhe me përmirësim të jetës ekonomike.

Ndërsa Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se ky takim ka një mision që përmes partneritetit dhe bashkëpunimit ekonomik të komunitetit të biznesit, të përshpejtohen proceset integruese me një mbështetje ekonomike që Kosova sa më shpejt të jetë pjesë e familjes ekonomike.

“Nëse është e vështirë të depërtohet politika, do të përdoret diplomacia ekonomike që t’i përshpejtojë këto procese dhe besoj që edhe kjo është një dëshmi e seriozitetit të këtij memorandumi që përmes partneritetit ekonomik, të përshpejtohen proceset e pranimit të realitetit të Pavarësisë së Kosovës”.