Kosova mbetet me një zonë zgjedhore

Reforma zgjedhore e iniciuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e cila ishte paraparë që të përfundonte në pranverë nuk pati interesimin e duhur, pasi u bojkotua nga ana e opozitës dhe në këtë formë nuk arriti të përfundohej.

Lajme

19/03/2017 20:43

Në kuadër të reformës normalisht se do të parashihej edhe diskutimi për sistemin zgjedhor i cili momentalisht është në variantin e një e zone dhe jo të shumë zonave.

Deputeti nga radhët e PDK’së, Zenun Pajaziti, në lidhje me qëndrimin e tyre si subjekt politik për nismën e presidentit Thaçi tha se e kanë përkrahur nga fillimi, por sipas tij ka munguar përkrahja e nevojshme edhe nga subjektet e tjera politike.

“Ne brenda partisë kemi pasur propozime të ndryshme për sa i përket zgjedhjeve dhe sistemeve zgjedhore. Brenda PDK’së ka pasur shumë zëra dhe mendum se PDK si partia më e madhe në vend me një numër të madh të personaliteteve brenda parisë më shumë do t’i konvenonte një sistem zgjedhor në zona”, tha Pajaziti për Tribuna Channel.

Deputetja e AAK’së Time Kadriaj tha se iniciativa e Presidentit Thaçi nuk ka qenë korrekte pasi është iniciuar në një kohë kur partitë opozitare e kanë bojkotuar punën në Kuvend. Tha se reforma zgjedhore kërkon kohë dhe studim të mirëfilltë nga të gjitha subjektet në vend.

Mazllum Baraliu ndarjen në zona e sheh si më adekuate. Thotë se në këtë mënyrë secili rajon do të kishte përfaqësuesin e tij dhe kështu përfshirja do të ishte proporcionale.

Anëtari i KQZ’së nga radhët e VV’së, Adnan Rrustemi tha se iniciativa e Thaçit pritej të dështonte.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar Presidenti Hshim Thaçi ka mbajtur dy takime me përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile për të diskutuar për reformën zgjedhore e cila prekë 13 nene të Kushtetutës.