Kosova mbështet Ukrainën si një shtet të pavarur

Shteti i Kosovës ka ofruar mbështetje të plotë për Ukrainën si një shtet të pavarur, me sovranitet dhe integritet territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Lajme

12/11/2018 11:59

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) ka shprehur qëndrimin e saj zyrtarë se Republika e Kosovës mbështet plotësisht Ukrainën si një shtet të pavarur, me sovranitet dhe integritet territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftimi për media, MPJ, ka bërë të ditur se Kosova kundërshton mbajtjen e “zgjedhjeve” më 11 nëntor, 2018 në të ashtuquajturën “Republikën Popullore të Donetskut dhe Luhanskut”, pasi që kjo është kundër frymës dhe përmbajtjes së Marrëveshjeve të Minskut, të cilat me dispozita të veçanta e rregullojnë organizimin e zgjedhjeve lokale në atë rajon.

“Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se ky proces i jashtëligjshëm mund të minojë të gjitha përpjekjet e deritanishme për arritjen e paqes në rajon dhe thërret të gjitha palët të respektojnë dhe zbatojnë Marrëveshjet e Minskut, të cilat janë jetike për arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe paqësore për konfliktin e Ukrainës lindore”, thuhet në njoftimin e MPJ-së, shkruan më tutje lajmi.net.

Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se duhet të shmanget çdo veprim, i cili e pengon zbatimin e Marrëveshjeve të Minsku-ut, duke përfshirë të ashtuquajturat zgjedhje, rezultati i të cilave nuk do të ketë vlerë ligjore. /Lajmi.net/