Kosova mbanë seancën e parë stërvitore para ndeshjeve të Ligës së Kombeve

Kombëtarja e Kosovës është grumbulluar për të vazhduar rrugëtimin në Ligën e Kombeve.

Sport

12/11/2018 22:35

Bernard Challandes ka ftuar lojtarët që do të udhëtojnë në Maltë, të njëjtit që do të presin Azerbajxhanin në “Fadil Vokrri”.

Nga lista e publikuar do të mungojë Bersant Celina, si pasojë e një lëndimi që ia pamundëson pjesëmarrjen.

Shkëlqim Demhasaj është lojtari që është ftuar për të mbuluar vendin e lënë nga anëtari i Swansea.

Ndërkohë, “Dardanët” kanë zhvilluar edhe  seancën e parë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, shkruan lajmi.net.

Lojtarët duken tejet të disponuar para ndeshjeve të ardhshme. Disa fjalë pas stërvitjes tha edhe Mirlind Kryeziu.

“Jam krenar që jam bashkë me këta lojtarë. Kjo ishte stërvitja e parë dhe ndihem shumë mirë. Stërvitja shkoi super. Ekipi më ka pritur shumë mirë. I njoh disa prej lojtarëve sepse luaj me ta edhe në kampionatin zviceran. Mendoj se mund ta ndihmoj ekipin në repartin defanziv. Debutimi? Shpresoj, por për këtë vendos trajneri. Fokusi njëherë është te ndeshja me Maltën, shpresoj të fitojmë dhe pastaj vijmë në shtëpi dhe të bëjmë festë për kualifikim” ishin fjalët e Mirlindit.

Pas tij folën edhe Muriqi e Avdiaj, njofton faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Kosovës, përcjell lajmi.net.

Vedat Muriqi: “Presim të kualifikohemi tutje dhe jemi shumë optimistë për këtë. Sonte kemi stërvitur vetëm një pjesë e lojtarëve, pasi ata që kanë luajtur dje nuk kanë qenë në këtë stërvitje. Në ditët e ardhshme do të jemi të kompletuar në stërvitje dhe besoj se do të arrijmë të përgatitemi mirë dhe ta arrijmë kualifikimin qysh në Maltë dhe pastaj të kthehemi në shtëpi kundër Azerbajxhanit për festë. Sulmuesi gjithmonë matet me gola, pa marrë parasysh a ka luajtur mirë apo jo dhe kështu është kudo. Në ndeshjen e kaluar kundër Maltës jam angazhuar shumë dhe pas disa rasteve e gjeta edhe golin. Sidoqoftë, nuk është e rëndësishme kush shënon gol sidomos në kombëtare. Rëndësi ka fitorja dhe të ecim përpara edhe si ekip edhe si shtet”.

Donis Avdijaj: Është hera e parë për ne si ekip që të arrijmë diçka. E kemi mundësinë dhe kualitetin që t’i fitojmë të dy ndeshjet, por secili ekip tash dinë të luajë futboll dhe i ka opsionet e veta, prandaj duhet të japim maksimumin si ekip për t’i fituar ndeshjet dhe pastaj për ta festuar suksesin e parë. Në ekipin tim jam në formë shumë të mirë, por kur grumbullohem me Kosovën interesin tim e vendos prapa. Mua më intereson që ta shfrytëzojmë këtë mundësi si ekip dhe të arrijmë sukses. Nëse arrij ta jap kontributin tim do të isha i lumtur, por ky është futboll dhe kushdo që luan duhet ta japë maksimumin.

Këto janë pamjet nga seanca stërvitore: /Lajmi.net/