Kosova kënaqi tifozët

Pavarësisht barazimit pa gola, tifozët thonë se u ndanë të kënaqur me paraqitjen e Kosovës në miqësoren e parë ndërkombëtare kundër Haitit. Ata përjetuan një ndjenjë të re: Për herë të parë brohoritën emrin e Kosovës, si Kombëtare.

Sport

05/03/2014 19:40

Kosova luajti pa gola kundër Haitit në ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare. Por, paraqitja e ekipit i kënaqi tifozët.

Një numër i madh i përkrahësve, stërmbushën stadiumin Adem Jashari në Mitrovicë në përkrahje të ekipit në duelin e parë historik. Dhe, pavarësisht barazimit, ata u ndanë të kënaqur me atë që panë në fushë.

“Ju nuk mund të humbisni një ngjarje të tillë. Nuk ishte një ndeshje e zakonshme, kjo ishte histori”, deklaroi studenti 21-vjeç, Shpend Gashi i mbuluar me flamurin e Kosovës, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Kosova nuk ishte e lejuar të valonte flamuj kombëtar ose të intonojë himnin para ndeshjes, sipas marrëveshjes së realizuar me FIFA’n.

Por, as kjo nuk i parandaloi tifozët që të valojnë flamuj dhe simbole të tjera në tribuna.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur. Ishte hera e parë në jetën time që isha në gjendje të brohoras ‘Kosova, Kosova’, për ekipin tim Kombëtar”, deklaroi 53-vjeçari Arsim Bejtullahu.