Kosova ka hapësirë për turizëm, por injorohet nga autoritetet kompetente  

Republika e Kosovës, edhe pse ka hapësirë të vogël gjeografike, ofron mundësi të mira për zhvillimin e disa llojeve të turizmit.

Lajme

22/08/2015 13:55

Kosova ka vende turistike malore, shëndetësore, objekte natyrore dhe objekte kulturore – historike, e që mund të shfrytëzohen nga vizitorët për ekskursione, sport, rekreacion, pushim, kulturë, për arsim e edukim.

Mirëpo, sektori i turizmit ende mbetet i pashfrytëzuar dhe injorohet nga autoritetet kompetente, thonë ekspertë të kësaj fushe.

Zekë Çeku, udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se territori i Kosovës ka potencial dhe resurse te mjaftueshme turistike, si për sezonin veror, po ashtu edhe për atë dimëror. Ai, madje, shprehet se Kosovës i mungon vetëm bregdeti.

“Kosova është vend turistik dhe që vizitohet… Fatbardhësisht, trendi i vizitorëve vazhdimisht po rritet, edhe pse nuk mund të flasim për numra shumë të mëdhenj, por trendi është pozitiv. Sipas vlerësimeve tona, ka një rritje vjetore nga 5 deri në 7 për qind, që është një ngritje permanente dhe shumë e rëndësishme”, thotë Çeku.

Ai tregon se përveç qytetarëve të Kosovës, 90 për qind e vizitorëve janë mërgimtarë që vijnë nga shtete të ndryshme të botës për pushime në vend, që vizitojnë kryesisht viset malore. Megjithatë, siç thotë Çeku, nuk mungojnë as vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe Evropa.

Ai ndër të tjera tregon se turizmi malor, apo aktivitetet në natyrë në Kosovë mund të zhvillohen gjatë gjithë vitit.

Edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, tregojnë përpjekjet e vazhdueshme që sektori i turizmit të jetë edhe më atraktiv për vizitorët.

Hysen Sogojeva, shef i Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tregon se në Kosovë kanë qëndruar disa turistë nga Çekia dhe Sllovenia, të cilët kanë ndihmuar gjatë përgatitjes së planit të veprimit 2015-2020, plan ky që konsiderohet avancues për zhvillimin e turizmit në Kosovë.

“Me indikatorët përcjellës që do ta zbatojnë këtë plan, rezultatet do të shihen dukshëm edhe në terren, se jemi avancuar në këtë drejtim”, shprehet Sogojeva.

Por, krejt ndryshe mendon Zekë Çeku. Ai shprehet i shprehet i shqetësuar, siç thotë, me injorimin e këtij sektori që i bëhet nga autoritetet kompetente.

Kurse, të gjitha investimet që janë bërë në këtë fushë, sipas tij, janë bërë nga investimet individuale.

“Themi qindra miliona euro paguajnë diaspora dhe qytetarët tanë edhe bizneset, por shteti nuk kthen asnjë cent. Shteti nuk kujdeset për turizmin. Unë i kuptoj se ata nuk e kuptojnë turizmin, nuk e njohin turizmin, por të sillen në një mënyrë aq injoruese, të injorohet aq shumë turizmi dhe me qenë një vetëdije kaq e ulët mbi rolin e turizmit, unë nuk e kuptoj këtë”, thekson Çeku.

Por, Hysen Sogojeva, konsideron se përpjekjet në këtë drejtim nuk mungojnë:

“Është e drejtë e çdokujt të thotë, por nuk ka injorime. Me gjithë kapacitetin tonë po mundohemi në këtë drejtim”.

Për nga aspekti i turizmit, Republika e Kosovës ndahet në 5 rajone turistike, dhe secili nga këto rajone ka veçoritë e veta atraktive.

Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, konsiderohen si rajonet kryesore turistike në Kosovë.

Përveç pesë rajoneve për turizmin malor, Kosova është e pasur dhe e njohur edhe me atraksione të tjera turistike, siç janë: Gryka e Rugovës, Burimi i Drinit të Bardhë, Ujëvarat e Mirushës, një numër i konsiderueshëm shpellash, duke veçuar Shpellën e Gadimes, dhe bifurkacioni i Lumit të Nerodimes./REL/