Kosova importon 221 mijë kilogramë mish të derrit

Kosova ka importuar 221 mijë kilogramë mish të derrit që nga viti 2016 ndërsa pjesa më e madhe e këtij mishi është importuar nga Serbia.

Lajme

22/03/2018 17:05

Pjesa më e madhe e importit është mish i derrit shtëpiak, mirëpo ka edhe ‘mish të derrit jo shtëpiak’ që njihet si ‘derri i egër’, thuhet nëtë dhënat e importit të mishit të derrit që janë siguruar nga Doganat e Kosovës.

KALLXO.com i ka analizuar këto të dhëna të importit të mishit të derrit dhe del që vlera më e madhe e importit të mishit të derrit ishte në vitin 2016. Gjatë këtij viti janë importuar 111 mijë e 693 kilogramë me një vlerë të deklaruar prej 244 mijë e 814 euro. Sa i përket vlerës së importit prin “mishi i derrit jo shtëpiak”.

Ky lloj i mishit është importuar në sasi prej 24 mijë e 778 kilogramë me një vlerë të deklaruar prej 105 mijë e 243 euro. Sa i përket sasisë prin “mishi i derrit shtëpiak, i ngrirë, trupa apo gjysmë trupa”, me 61 mijë e 171 kilogramë. Vlera e këtij mishi ishte vetëm 68 mijë e 709 euro. Ndërsa, mishi i derrit shtëpiak, pa kocka, ishte importuar në sasi prej 7 mijë e 915 kilogramë, me një vlerë prej 28 mijë e 891 euro.

Gjatë vitit 2017, janë importuar 76 mijë e 17 kilogramë mish derri të cilat kishin një vlerë prej 195 mijë e 642 euro. Gjatë tërë vitit 2017 janë importuar 11 mijë e 587 kilogramë ‘mish derri jo shtëpiak’ të cilat kishin një vlerë të deklaruar prej 47 mijë e 471 euro. Për këtë lloj të mishit është paguar mesatarisht 4 euro e 9 cent.

Gjatë vitit 2017 më së shumti është importuar ‘mish derri, i ngrirë, trupa apo gjysmë trupa të derrit’, apo 20 mijë e 243 kilogramë. Vlera e këtij mishi ishte 34 mijë e 547 kilogramë. Ndërsa ‘mish derri shtëpiak, pa kocka’ janë importuar 11 mijë e 971 kilogram, me një vlerë prej 42 mijë e 936 kilogramë.