Kosova ia turbullon ujin Brukselit, si qengji ujkut, por nuk është krejt e pafajshme

Iredentizmi aktual është antievropian, për shkak se mban në spikamë padrejtësitë e kaluara të Evropës kundër shqiptarëve, indipedentizmi është panemerikan (dhe proevropian i plogësht), ndërsa integrizmi jugosllav sado që është i fshehur, prapë është minues ndaj Kosovës dhe integrimit të saj evro-atlantik.

Lajme

04/03/2018 14:24

Raporti i Kosovës me Bashkimin Evropian është shumë i komplikuar, për ç’gjë faje ka më shumë Bashkimi Evropian, por as Kosova nuk është pa kusuret e veta. Nuk ka nevojë të bëhet ndonjë shëtitje nacionalromantike nëpër faqet e zhubravitura të librave tanë të historisë, për ta kuptuar atë rol problematik të Evropës ndaj shqiptarëve në përgjithësi e ndaj Kosovës në veçanti. Pra, edhe pa atë shëtitje është e ditur që Fuqitë e Mëdha kanë kalkuluar interesat e veta në këto hapësira dhe varësisht prej interesave të veta, kanë marrë qëndrim ndaj çështjes shqiptare e çështjes së Kosovës, si fragmenti më fragjil i saj.

Territor dhe kulturë evropiane- e papranuar

Shqiptarët dhe çështja e tyre janë trajtuar në kuadër të problemeve gjeopolitike e gjeostrategjike, një kohë duke i përfshirë brenda skemave të hartuara për minimin e Perandorisë Osmane e më vonë duke i trajtuar në kuadër të rivaliteteve të shteteve ballkanike, po edhe të disa prej shteteve imperialste të Evropës. Shkurt, shqiptarët nuk janë trajtuar asnjëherë si një komb evropian, çështja e tyre kombëtare e shtetërore nuk është trajtuar asnjëherë si një çështje mirëfilli evropiane. Shansi i fundit që Kosova të trajtohej si një problem i një territori evropian dhe i një kombi evropian ishte në raport me Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit. Bashkimi Evropian e kishte rastin ta mbyllte kapitullin dyshekullor të injorimit të shqiptarëve, duke e pranuar atë plan dhe pavarësinë e Kosovës. Por, Bashkimi Evropian këtë lëvizje nuk e bëri dhe nuk e ka kompletuar as dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ende vazhdon ta mbajë një qëndrim neutral ndaj statusit të saj, duke e injoruar si të mos ishte fjala për një territor dhe për një komb në zemër të saj. Pse mund të thuhet kështu? Po qe se mirren si të mirëqena tezat e Zhak lë Gofit, lidhur me Evropën dhe shtyllat që e konstituojnë si të tillë, përgjigja na rezulton e shpejtë dhe e plotë. Sipas Zhak lë Gofit, përkatësia gjeografike është kriteri i parë që e bën një territor evropian ose jo. Ai konstaton se kufiri ekstrem i kontinentit tonë në Lindje është në kilometrin 1777 në malet Urale. Rrjedhimisht shqiptarët gjeografikisht jetojnë në zemër të Evropës e nuk mund të trajtohen si joevropianë. Kriteri i dytë, sipas Zhak le Gofit, është kulturor, ku shtylla greko-romake dhe ajo judeo-kristiane përbëjnë fundamentine identitetit kulturor të Evropës. E sigurt është që shqiptarët kanë jetuar brenda kësaj hapësire kulturore, në fqinjësi direkte me helenët e romakët. Si një tjetër element të identitetit evropian Gofi përmend edhe ndikimin e gjuhëve neolatine, gjë që pa dyshim kanë pasur ndikimet e veta të forta edhe mbi shqipen, duke përmbushur edhe këtë kriter për identitetin evropian. Edhe ndikimi i kryqëzatave si një element ndikues në identitetin evropian, ka qenë prezent e me pasoja në trojet iliro-shqiptare. Pra, të gjithë elementët kryesorë që e përbëjnë identitetin evropian janë prezentë në identitetin e shqiptarëve, rrjedhimisht edhe të Kosovës. Mirëpo, në rastin tonë këto vlera janë injoruar dhe janë zhvlerësuar, duke ia ekspozuar kombin shqiptar projektit të dëbimit dhe shfarosjes fizike. Arsyeja e vetme për këtë qëndrim ka qenë paragjykimi ndaj përkatësisë islame të shumicës së kombit shqiptar dhe veçmas ndaj Kosovës. Tjetër shpjegim nuk ka deri sot.

Nëse lihen krejtësisht mënjanë përvojat e shekujve XIX e XX, kur Evropa ka lejuar politikat gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe shihet vetëm qëndrimi aktual i Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, prapë ngjyra që dominon pikturën është paragjykimi ndaj Kosovës. Bashkimi Evropian nuk ka arritur të adoptojë një politikë unike dhe miqësore ndaj Kosovës së pavarur, por vazhdon ta trajtojnë Kosovën si një territor pa status. Pesë shtete anëtare të BE-së (Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia e Qiproja) vazhdojnë ta imponojnë qëndrimin e tyre bllokues ndaj Kosovës. Pikërisht ky qëndrim dualist dhe konfuz në Bashkimin Evropian, ka inkurajuar dhe po einkurajon Serbinë dhe Rusinë që të vazhdojnë ta minojnë ekzistimin e Kosovës si shtet. Kjo shihet edhe në mënyrën se si e ushtron pushtetin BE-ja në Kosovë nga viti 1999: në vitin 1999, BE-ja mori përsipër zhvillimin ekonomik të Kosovës (në kuadër të UNMIK-ut, në të ashtuquajturën Shtylla e Katërt.) Tashmë është e ditur se dështimet më të mëdha në ekonomi Kosova i ka pasur në vitet 1999-2008, kur BE-ja ka drejtuar sektorin e ekonomisë. A ka qenë mungesë ekspertize, apo planifikim që të imponohet ngecja ekonomike e Kosovës, për ta favorizuar Serbinë në rrugën e saj të rehabilitimit, të konsolidimit dhe të integrimit, kjo mbetet që të kuptohet më vonë. Ajo që dihet saktë, është rezultati katastrofal i ekonomisë së Kosovës në atë periudhë, duke përfshirë edhe privatizimin skandaloz. Shkatërrimi i industrisë në Kosovë ka qenë i planifikuar, sistematik, ashtu sikundër pati deklaruar Bernard Kushneri, i cili pati thënë se nuk kishin ardhur që ta gjallëronin “ekonominë socialiste.” Rezultate jo të mira BE-ja ka pasur edhe në fushën e sundimit të ligjit, pas vitit 2008me EULEX-in. Besoj se as në këtë rast nuk mund të thuhet se dështimi ka ardhë si pasojë e ekspertizës së personelit. Bindja ime është se dështimi ka qenëi planifikuar, për ta favorizuar Serbinë në procesin e integrimit evropian, me synimin për ta shkëputur sa më shumë nga afërsia me Rusinë.

Kosova nuk ia di hallin vetes

Sa u përket kusureve të Kosovës, as ato nuk janë të pakta në këtë raport problematik me BE-në. E para, shqiptarët e Kosovës që nga viti 1989 e deri sot kanë ndërtuar narracionin sipas të cilit SHBA është shpëtimtari dhe sponsori kryesor i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kjo qasje shumë herë e pa balancuar dhe e panuancuar, ka krijuar frustrime në BE ose në shtete të veçanta të BE-së, fjala vjen në Francë. (Bile edhe në shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Bernard Kushneri u ankua se hapësira promovuese u ishte dhënë shumë më shumë amerikanëve se sa evropianëve.)  E dyta, elitat politike të Kosovës nuk janë treguar imune ndaj korrupsionit dhe krimit të rganizuar, me çka kanë zgjuar jo pak iritim në Bashkimin Evropian, veçmas nështetet kryesore të BE-së. Në këtë kontekst edhe bllokimi për tre vjet i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, me çka është e bllokuar lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen, nuk ka qenë pa ndikim. Naiviteti i shumë politikanëve shqiptarë të Kosovës shpërfaqet kur edhe në kontekst të dialogut të Brukselit, flasin për SHBA-në si për babën,në një pozicion kundërvënieje me Bashkimin Evropian. Kërkesat më të fundit të zyrtarëve të Kosovës, që nga presidenti e kryeministri e teposhtë, që në procesin e Brukselit të rikthehen amerikanët, kanë zgjuar iritim shtesë në BE, por kanë shtuar edhe ambicien e Rusisë që edhe ajo të kërkojë të jetë pjesëmarrëse në atë proces, gjë që BE-në e shqetëson edhe më shumë. Puna është që panemerikanizmi i shqiptarëve mund të funksionojë kur është i kundërvënë me pansllavizmin e me Rusinë, por bëhet problematik kur i kundërvihet, pa asnjë lloj imagjinate, vetë Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, probleme shtesë paraqesin edhe deklarimet aventurere të Edi Ramës, si ajo për një president të përbashkët për Kosovë e Shqipëri, e shprehur në foltoren e Kuvendit të Kosovës, në shënimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë. Nuk mirret vesh se për ç’arsye bëhen këso provokimesh ndaj Bashkimit Evropian as nga Shqipëria,e cila po ashtu aspiron të bëhet anëtare e BE-së.

Më duket se fërkimet e tashme i kanë dy burime: e para, paragjykimet e një pjese të evropianëve, veçmas të së djathtës ekstreme, e cila është fuqizuar shumë. Ata e kane kthyer diskursin e mëhershëm paragjykues për shqiptarët, për shkak të paragjykimeve që kanë ndaj Islamit. E dyta, ndër shqiptarë ekziston një konfuzion ideologjik lidhur me të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve përkatësisht lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Realisht, në Kosovë përplasen tre rryma ideologjike agresive: iredentizmi, indipedentizmi dhe integrimi (ky është në defansivë dhe në rënie.) Iredentizmi aktual është antievropian, për shkak se mban në spikamë të kaluarën, padrejtësitë e kaluara të Evropës kundër shqiptarëve, indipedentizmi është panemerikan, ndërsa integrizmi jugosllav sado që është i fshehur, tinëzar, prapë është minues ndaj Kosovës dhe ndaj integrimit të saj evro-atlantik. Konflikti bizar në 10 vjetorin e pavarësisë lidhur me flamurin shtetëror dhe flamurin kombëtar në hyrje të Prishtinës, zbulon këtë luftë ideologjike që është prezente në gjirin e elitave të tashme, po edhe të një pjese të shoqërisë. Ndërsa, elitat dhe shoqëria që ka këso dilemash, pra se a duhet të valvitet flamuri shtetëror në hyrje të kryeqytetit, në dhjetëvjetorin e pavarësisë së shtetit, nuk janë të aftë që të tejkalojë paragjykimet dhe problemet e hapura me Bashkimin Evropian.

 

Hajc Kristijan Shtrahe tha atë që mendojnë shumë evropianë

Nga ana tjetër, elitat në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian, gjithnjë e më shumë po bëhen intolerante ndaj Kosovës. Simboli më vizibil i kësaj tendence të re tashmë është vicekancelari i Austrisë, Hajnc Kristijan Shtrahe, i cili gjatë një vizite zyrtare në Beograd, në një intervistë në gazetën Politika tha se “Kosova është pjesë e Serbisë”.  Edhe pse e demantoi pastaj deklaratën e vet nën presionin e shefit të tij,shija e hidhur ka mbetur. Ndërsa, në Çeki po mblidhen firma për të tërhequr njohjen e Kosovës. Dhe këtu jemi, para një episodi tëri të paragjykimeve ndaj shqiptarëve dhe të ndaj shtetit të Kosovës. Thënë figurativisht, Kosova e Brukseli po shikohen si ujku e qengji, me akuzën e Brukselit se Kosova po ia turbullon ujin, ndonëse është më poshtë dhe bile e rënë përtokë. Por, në këso rastesh as qengji nuk është krejt i pafajshëm. Faji minimal i tij është pse nuk ia di hallin vetes. Dhe faji i dytë është pse nuk rritet e të paktën të bëhet dash, që t’i nxjerrë tjetrit më shumë punë.