Kosova i lë “pa frymë” të gjithë, përmbysë Letoninë për fitoren e parë në shtëpi

Përfaqësuesja e Kosovës ka bërë përmbysje të “çmendur” për fitoren e parë në shtëpi.

Sport

13/11/2017 21:27

Në miqësoren e parë në Kosovë që pas pranimit në FIFA, përfaqësuesja jonë ka mposhtur me shumë mund Letoninë, 4:3.

Kosova në këtë sfidë ishte tre herë në disavantazh, por në fund arriti të përmbys gjithçka për të gëzuar ‘Dardanët’ që i mbështetën gjatë gjithë ndeshjes në ‘Adem Jashari’.

Mysafirët që në minutën e 11’ arritën të kalojnë në epërsi, kur shënoi Kluskins. Dy minuta më vonë Kosova barazoi përmes Amir Rrahmanit.

Kosova vazhdoi me lojë jo të mirë, dhe me gabime në mbrojtje, gjë që iu kushtoi në minutën e 30’, kur shënoi Sabala.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, përfaqësuesja jonë u rikthye në lojë kur Muriqi shënoi me kokë për 2:2.

Pjesa e dytë, solli sërish dëshpërim te Kosova, me mysafirët nga Letonia që për të tretën herë kalojnë në epërsi, përmes Kluskins, për të cilin ky ishte goli i dytë në ndeshje.

Kosovën nga humbja e turpshme, e shpëtoi një gabim në mbrojtjen e Letonisë, kur mbrojtësi i tyre derisa po largonte topin, qëlloi në shpinë Rashanin, për ta devijuar topin në rrjetë, për 3:3.

Dhe kur po luhej minuta e 94’, ishte Besar Halimi që shënoi për 4:3, për një fitore të jashtëzakonshme të Kosovës, me shumë emocione./Lajmi.net/