Kosova i kërkon Ajovës thellim të bashkëpunimit në bujqësi

Një delegacion nga shteti amerikan i Ajovës, i kryesuar nga sekretari për Bujqësi, Bill Northey, ka nisur sot vizitën në Kosovë. Ata janë pritur sot në Qeverinë e Kosovës nga ministra dhe përfaqësues të odave ekonomike në vend.

Lajme

27/06/2017 21:18

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi. Ai me këtë rast ka mbajtur një fjalë rasti, ku ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Ai theksoi se bujqësia mbetet një prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe në vitet e fundit janë bërë investime të mëdha. Kjo, tha ai, ka bërë që të ketë rritje në prodhim të produkteve bujqësore dhe shtim të produkteve të përpunuara, ka bërë të ditur MBPZH.

Krasniqi përmendi edhe disa nga sfidat me të cilat, tha ai, po merret qeveria e Kosovës, sa i përket bujqësisë. Në këtë drejtim, përmendi nisjen e programit për sigurimet bujqësore, hartimin dhe realizmin e një projekti të madh për ujitjen e tokave bujqësore në Kosovë, rritjen e buxhetit për bujqësinë, menaxhim më efikas të fermave, e shumë aspekte të tjera, thuhet në një njoftim nga MBPZH.

Krasniqi falënderoi sekretarin Northey për gatishmërinë që shteti i Iowa-s të mbështesë bujqësinë në Kosovë. Kosova, tha ministri Krasniqi, mund të mësojë shumë nga praktikat dhe tradita e madhe bujqësore në këtë shtet. Ai shprehi gatishmërinë që bashkëpunimi të thellohet në të ardhmen.

Nga ana e tij, sekretari Northey tha se ndjehet mjaftë i lumtur për vizitën e tij të parë në Kosovë dhe vlerësoi të arriturat e shënuara në sektorin e bujqësisë në Kosovë. Ai inkurajoi që të vazhdohet edhe më tutje me investime në bujqësi, si një sektor potencial për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.

Ministri Krasniqi dhe sekretari Northey, të shoqëruar edhe nga anëtarët e tjerë të delegacionit kanë vizituar Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit dhe si dhe qumështoren ‘Eurolona’ në Fushë Kosovë.

Ata edhe në ditët në vazhdim do të vizitojnë ferma dhe agro-biznese të ndryshme.