Kosova i jep çmim gjyshit të Rita Orës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot në një ceremoni solemne ka bërë ndarjen e Çmimit Vjetor për Kinematografi dhe Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”.

ShowBiz

27/08/2018 20:58

Çmimi Vjetor për Kinematografi për vitin 2017 ju nda regjisores Blerta Zeqiri ndërsa Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” në fushën e kinematografisë ju nda regjisorit Besim Sahatçiut-post mortum, transmeton lajmi.net

”Përkrahja e Ministrisë për artistët do të vazhdoj. Besoj se kemi pas një juri profesionale për tu ndarë çmimet dhe kemi ardhur deri te ky moment në këtë ceremoni për të ndarë këto dy çmim. Në emër timin si ministër dhe të Ministrisë, ju falënderoj për punën dhe kontributin e të ndjerit regjisorit Sahatçiut dhe regjisores Blerta Zeqirit. Ne jemi të përkushtuar që të motivojmë punën e artistëve dhe në këtë kontekst do të vazhdojmë të japim shpërblime e çmime. Jam tejet i lumtur që vendimmarrja e jurisë ka qenë e duhur dhe profesionale”, ishin fjalët e Gashit pasi ndau çmimet.

Sipas vendimit për ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore për “Bekim Fehmiu”, regjisorit Besim Sahatçiu-post mortum  i ndahet shpërblimi në vlerë monetare prej 5 mijë eurosh. Çmimet u shoqëruan edhe me nga një plaketë dhe nga një certifikatë të nënshkruara nga ministri.

Sipas jurisë, veprimtaria kinematografike e regjisorit Besim Sahatçiut konsiderohet themeltare e regjisurës kinematografike të Kosovës, që e avancoi atë në kinematografi konkurruese në nivel rajonal. Nga veprimtaria e tij vlen të përmendet filmi “117” dhe seriali filmik televiziv dhe filmi “Era dhe Lisi”, që shënuan fillimin dhe konsolidimin e kinematografisë së Kosovës në vitet e ’70. Vitet ’70 dhe fillimi i viteve ’80 në artin e kinematografisë së Kosovës mund të konsiderohet periudha e regjisorit Besim Sahatçiu, i cili u bë frymëzim për brezin e ri të kineastëve të Kosovës.

Për regjisorin Sahatçiu, çmimin e mori bashkëshortja e tij Besa Sahatçiu. Me këtë rast ajo falënderoi ministrin për çmimin e dhënë. Ndër të tjera ajo tha ”Besimi dhe Bekimi kanë qenë miq. Kontributi i tij ka qenë frymëzim”./Lajmi.net/