Kosova, gati për Senegalin

Përfaqësuesja e Kosovës është e gatshme të përballet me Senegalin të dielën, në ndeshjen e tretë pasi e mori lejen nga FIFA. Kosovarët shpresojnë që kjo të jetë e treta e vërteta.

Sport

25/05/2014 12:52

Përfaqësuesja e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Senegalit, të cilën do ta zhvillojë të dielën në Gjenevë të Zvicrës.

Ekipi i Albert Bunjakut synon të nxjerr rezultat të favorshëm në ndeshjen e tretë dhe të vërtetë, pasi e mori lejen nga FIFA në muajin janar.

Kosova barazoi 0:0 me Haitin në muajin mars, ndërsa u mposht me rezultat të thellë 6:1 nga Turqia në mesjavë.

“Tani do ta kemi një kundërshtar edhe më të fortë, të cilin e karakterizon shpejtësia. Ne do ta ndërrojmë mënyrën e lojës. Do të përqendrohemi më shumë në mbrojtje dhe në kundërsulme. Në këtë grup të lojtarëve që e kemi në dispozicion, unë besoj te ta”, ka deklaruar Albert Bunjaku, i cili pret mbështetje të tifozëve shqiptarë.

“Kemi nevojë për tifozë. Mbi të gjitha, nëse stadiumi është i mbushur, kjo ndeshje do ta ketë një efekt shumë të madh e pozitiv për Kosovën, në procesin e ndërkombëtarizimit”, ka thënë seleksionuesi kosovar, i cili përveç mungesave që i kishte me Turqinë, ndaj Senegalit do të hyjë edhe pa disa lojtarë tjerë, si pa kapitenin Anel Rashkaj, Fanol Perdedajn, Debatik Currin, Lum Rexhepin, Mehmet Hetemajn, Bajram Jashanicën e Ilir Avdylin. Kjo ndeshje do të fillojë në orën 17:00.