Kosova është gati për debutimin ndërkombëtar

Kosova po bëhet gati për debutimin në skenën ndërkombëtare, kur ky ekip do ta zhvillojë ndeshjen e parë miqësore ndaj Haitit, të parën pasi e mori lejen nga FIFA. Ekipi i Albert Bunjakut do të zbresë në fushë më 5 mars, në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. “Kjo ndeshje do ta thyejë një akull, është…

Sport

02/03/2014 10:00

Kosova po bëhet gati për debutimin në skenën ndërkombëtare, kur ky ekip do ta zhvillojë ndeshjen e parë miqësore ndaj Haitit, të parën pasi e mori lejen nga FIFA.

Ekipi i Albert Bunjakut do të zbresë në fushë më 5 mars, në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.

“Kjo ndeshje do ta thyejë një akull, është fundi i izolimit”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri për agjencinë AFP.

Ky do të jetë evenimenti më i madh sportiv pasi Prishtina zyrtare e shpalli pavarësinë e saj dhe ndarjen definitive nga Serbia, më 2008.

Në anën tjetër, pala serbe po bën gjithçka që është e mundur, për ta penguar ndërkombëtarizimin e sportit kosovar, mbi të gjitha në sportet kryesore, siç është futbolli. Por, duket se edhe ‘armiqve’ po ju vjen fundi.

“Ky është një vendim i FIFA’s. Është një dakordim me rekomandimet e Qeverisë sonë dhe çështja është e mbyllur”, ka thënë Tomislav Karadzic, president i Federatës Serbe të Futbllit. Ndeshja do të luhet në stadiumin kryesor të Mitrovicës, kapaciteti i së cilit është 29 mijë shikues.

Kjo është e vetmja arenë e futbollit në Kosovë, e cila i plotëson kushtet e FIFA-s.

Qeveria e Kosovës ka investuar 740 mijë euro për renovimin e stadiumit, ku ishte zhvilluar ndeshja e fundit ndërkombëtare në vitin 1979, ndërmjet Jugosllavisë dhe Rumanisë, 2:1.

Pas vendimit të FIFA-s, FFK e ka përdorur buxhetin e saj prej 25 mijë eurosh, për të blerë topa dhe fanella të Përfaqësueses.

Sidoqoftë, Kosovës nuk iu lejua ta përdor flamurin apo ndonjë simbol shtetëror, pas marrëveshjes trepalëshe të arritur në muajin janar, asaj kosovare, serbe dhe shtëpisë së futbollit ndërkombëtar.

Duke e lënë politikën anash, Kosova po mundohet ta ndërtojë një ekip solid, edhe pse fansat kanë mbetur të zhgënjyer paksa, ngase nuk do të mund ta shohin në fushë talentin më të madh kosovar të momentit, 19 vjeçarin e Manchester Unitedit, Adnan Januzaj.

Shumë futbollistë të talentuar e kishin lënë Kosovën në të kaluarën, duke u vendosur sidomos në Gjermani, Austri, Shqipëri apo Zvicër, pasi nuk e kishin mundësinë të shkëlqenin me klubet lokale.

Njëri prej tyre ishte edhe Samir Ujkani, i cili po mbron me sukses në futbollin italian, me Palermon. Portieri vushtrrias ka vendosur ta lë Shqipërinë për Kosovën.

Edhe pse bileta për ndeshjen ndaj Haitit kushton afro 10 euro – shumë kjo jo fort e përshtatshme për standardin e jetesës në Kosovës, ku 35 për qind e popullit janë të varfër – fansat janë të etur për ta përcjellë ekipin e tyre përfaqësues.

“Mua nuk më pritet. Jam i gatshëm ta paguaj 10 fishin, vetëm të jem aty, sepse do të jetë një ditë historike, të cilën do t’ia tregojmë pasardhësve tanë”, deklaroi Beqir Hoti, një tregtar 47 vjeçar.

Për studentin 24 vjeçar, Veton Kelmendi, data e zhvillimit të ndeshjes së parë të Kosovës do të bëhet po aq e rëndësishme sa 17 Shkurti, kur Kosova e kishte shpallur Pavarësinë e saj.

“Çfarëdo rrjedhe ta ketë ndeshja, ne tashmë keimi fituar”, deklaroi Kelmendi për AFP. Qindra kosovarë, të cilët jetojnë gjithandej, i kanë blerë tashmë biletat, njfton sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

“Interesimi është shumë i madh. Çdo ditë shiten qindra bileta”, tha Salihu. Sipas presidentit Vokrri, më nuk do të ketë kthim prapa për futbollin kosovar.