Kosova e Serbia sot në Bruksel, në takimin më të rëndësishëm që nga ai i 19 prillit 2013

Kryeministrat, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, bashkë me delegacionet e tyre, ku bëjnë pjesë edhe nënshkruesit e marrëveshjes historike të 19 prillit 2013, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, takohen sot në Bruksel, në një takim i cili po vlerësohet shumë i rëndësishëm.

Lajme

23/06/2015 09:09

Takimi i sotëm, për të cilin vet kryeministri serb, ka deklaruar se do të tërheq vëmendjen e gjithë politikës evropiane, për nga pesha është vlerësuar si më i rëndësishmi pas atij të 19 prillit 2013, ku Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, në cilësinë e kryeministrave të dy shteteve, nënshkruan marrëveshjen e Brukselit e cila u cilësua si historike, shkruan lajmi.net.

Si derivat i asaj marrëveshje, Kosova e Serbia për më shumë se dy vite kanë zhvilluar negociata, për të arritur marrëveshje të reja, të cilat për bazë kanë atë të 19 prillit.

Takimi i sotëm në Bruksel, po vlerësohet si me peshë të madhe për faktin se Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po presin nga Kosova dhe Serbia, që të nënshkruajnë disa prej marrëveshjeve të cilat hapin rrugë bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje, e indirekt edhe forcojnë bashkëpunimin rajonal jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe vendeve tjera, të rajonit, kërkesë kjo kryesore e Brukselit për integrim në BE të Ballkanit Perëndimor.

Temat që presin nënshkrimet e Mustafës dhe Vuçiqit në Bruksel, janë ato për telekomin, energjinë, lëvizjen e lirë, heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, shpërbërja e strukturave paralele në veri dhe themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe. (lajmi.net)