Kosova e Serbia me memorandum ekonomik

Është nënshkruar memorandumi i parë ekonomik mes odave të Kosovës dhe Serbisë. Safet Gërxhaliu thotë se për herë të parë është bërë një dialog i pastër ekonomik.

Lajme

17/10/2013 12:07

Në një konferencë për media në OEK, Safet Gërxhaliu e Ian Cliff kanë deklaruar pozitivitetin e bisedimeve ekonomike mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike e Industrisë së Serbisë.

Odat ekonomike të dy shteteve kanë arritur ta finalizojnë një memorandum pas dy takimeve të mbajtura në Podgoricë dhe Vjenë, të cilat janë mbështetur nga qeveria e Britanisë së Madhe.

Ndërsa një marrëveshje më specifike bashkëpunimi pritet të nënshkruhet në dhjetor të këtij viti.

“Në fillim të dhjetorit do ta kemi nënshkrimin e marrëveshjes së parë mes të dyja shteteve ku pranohet roli i arbitrazheve në OEK dhe OEIS, që problemet mes bizneseve tani e tutje ta kenë edhe një zgjidhje alternative”, tha sot Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

“Kemi vendosur që tani e tutje të gjendet një modalitet, për komunikimin me media nëpër debate të ndryshme, me një studio në Beograd, një në Prishtinë, dhe pse jo me një studio ndërmjetësuese.

“Është një hap pozitiv, sepse për herë të parë një dialog i pastër ekonomik”.

Përveç odës ekonomike në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Përfaqësuesit e Doganës së Kosovës, Agjencionit të Veterinës, Postës së Kosovës dhe Hekurudhave të Kosovës.

“Për herë të parë bisedohet mes Postës së Serbisë dhe Postës së Kosovës, me propozime konkrete siç zgjidhen këto barriera, mes hekurudhës së Serbisë dhe asaj të Kosovës, si të përshpejtohet që Komunikimi, Transporti dhe Logjistika dhe të reduktohet kostoja për sektorin privat, e cila është në ngarkim”.

“Përmes këtij bashkëpunimi po hapet një perspektivë e re dhe në qoftë se produktet kosovare nuk mund të jenë në tregun e Serbisë, të jenë në tregun e Rusisë “.

Ambasadori Ian Cliff tha se ka bërë një ndihmë modeste për shtetin e Kosovës dhe, sipas tij, ekonomia mes dy vendeve duhet të mos ndalet.

“Ekonomistët dhe biznesmenët e Kosovës dhe Serbisë kanë ecur më përpara se politika e dy shteteve”.

“Këtu duhet të jemi edhe me 4 nëntor, sepse biznesi është gjaku i çdo shteti, ai duhet të vazhdojë”.