Kosova e interesuar për thellim të bashkëpunimit me Turqinë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Turqinë, si dhe ka vlerësuar përkrahjen që ka dhënë Turqia për Kosovën në shumë fusha.

Lajme

04/08/2015 15:33

Mustafa këto komente i ka bërë gjatë takimit lamtumirës që ka zhvilluar me ambasadoren e turke në Kosovë, Songul Ozan, thuhet në një komunikatë të qeverisë.

“Kryeministri Mustafa e falënderoi ambasadoren Ozan për kontributin e saj për proceset në Kosovë, duke shprehur mirënjohje të posaçme për angazhimin e saj të fuqishëm në thellimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy shteteve”.

“Kryeministri Isa Mustafa po ashtu vlerësoi përkrahjen që shteti turk po jep për Kosovën në shumë fusha, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e  mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral”, ka thënë Mustafa.

Kurse, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, ka falënderuar kryeministrin Isa Mustafa dhe institucionet e Kosovës për bashkëpunimin e ofruar gjatë misionit të saj në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e saj të mëtutjeshme për Kosovën.