Kosova duhet të pranohet në UEFA dhe FIFA

Selektori i Turqisë, Fatih Terim përsëriti qëndrimin e tij se UEFA dhe FIFA duhet ta pranojnë Kosovën. Ai premtoi ndihmë të mëtutjeshme për edukimin e futbollit kosovar dhe lavdëroi tifozët në stadiumin ‘Adem Jashari’, për mbështetjen e tyre.

Sport

21/05/2014 23:02

Selektori i Turqisë, Fatih Terim lavdëroi rëndësinë e miqësores me Kosovën, dhe përsëriti qëndrimin e tij se UEFA dhe FIFA duhet të pranojnë Kosovën si anëtare të re.

“Ky duel mund të shihet nga shumë aspekte. I pari është se po e njohim Kosovën si shtet. I dyti, Kosovën duhet ta njohin edhe UEFA e FIFA. Arsyeja që kemi ardhur këtu është që ta japim këtë mesazh”, deklaroi Terim pas ndeshjes për mediet turke.

Ai premtoi ndihmë për futbollin kosovar.

“Tash e tutje, do t’i ndihmojmë kosovarët në edukimin e futbollit. Sa i përketballafaqimit, nuk ka për t’u folur shumë. Ishte një rast i mirë për t’i parë disa futbollistë, të cilët kanë treguar lojë të mirë”, u shpreh ish strategu i Galatasarayt.

Terim lavdëroi edhe tifozët e pranishëm në stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’ disa prej të cilëve u paraqitën me helmeta në kokë për t’u solidarizuar me popullin turk për tragjedinë në minierën e Somas.

“Disa tifozë mbanin helmeta të minatorëve në kokë dhe ky ishte një mesazh i shkëlqyeshëm nga ana e tyre”, përfundoi Terim.