Kosova duhet të liberalizojë tregun energjetik

Kosova duhet të liberalizojë tregun e saj energjetik në mënyrë që t'u mundësonte qytetarëve furnizim më të mirë dhe çmime më të volitshme të energjisë.

Lajme

22/05/2015 14:22

Ky konkluzion ka dalë nga një konferencë për media të Institutit për Politika Zhvillimore në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, ku u publikua analiza “Mundësitë e Kosovës për një Treg të Energjisë: Rasti i Energjisë Elektrike”.

Visar Azemi nga KOSID-i (Konsurciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm), tha se Kosova nuk po e hapë tregun për konkurrencë, e cila do ofronte çmime më të arsyeshme për qytetarët.

“Kosova nuk ishte gati që me 1 janar të 2015-ës të liberalizojë tregun e saj energjetik për t’iu mundësuar konsumatorëve dhe qytetarëve të Kosovës që të kenë mundësi të përzgjedhin ofertuesit e tyre të energjisë në mënyrë që të jetë një treg konkurrent”, tha Azemi.

Ndërsa, Gent Ahmetaj nga INDEP (Instituti për Politika Zhvillimore), tha se reformimi i sektorit të energjisë elektrike në Kosovë është një detyrë e ndërlikuar por se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një konkurrencë të ashpër.

“Një ndër sendet pozitive në tregun e lirë është që nën efekt të energjisë elektrike duhet të krijojnë një platformë për konkurrencë të ashpër, t’u japë konsumatorëve mundësi për të zgjedhur nga kush do të blejnë dhe si do të blejnë energjinë elektrike. Dhe po ashtu që të jetë kjo energji elektrike me një çmim më të mirë të mundshëm. Po ashtu konkurrenca duhet të stimulojë akterët e tregut që të jenë më efikas”, tha Ahmetaj.

Me këtë rast, u kërkua nga ZRrE që të vendosë standarde minimale të operimit për operatorin e transmisionit dhe distribucionit në përpjekje për ta promovuar llogaridhënien nga ana e këtyre ndërmarrjeve dhe për t’i ulur humbjet teknike që shkaktohen nga mungesa e investimeve të strukturuara./Kosovapress