Kosova dhe Serbia të ‘shtrënguara’ të përmbyllin demarkacionin e kufirit

Demarkacioni apo shënjimi i vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë një proces i domosdoshëm për të dyja vendet. Përveç si nevojë për normalizimin e raporteve, demarkacioni pritet të jetë kusht i BE-së edhe në proceset integruese për Kosovën dhe Serbinë.

Lajme

22/07/2018 17:11

Bashkimi Evropian ua ka bërë të qartë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor më strategjinë e re të zgjerimit se nuk mund t’i bartin problemet dhe konfliktet e tyre brenda BE-së, dhe se ato duhet t’i zgjidhin para se të pretendojnë anëtarësimin gjatë viteve të ardhshme.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka potenciale të mjaftueshme për t’iu qasur çështjes së demarkimit të kufirit me shtetin e Serbisë.

“Nevojitet një përkrahje institucionale dhe një bashkëpunim i mirëfilltë ndërinstitucional për arsye se ekipi i cili do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, sigurisht që ka nevojë për të dhëna dhe materiale të ndryshme hartografike të cilat do të ndihmojnë në kurorëzimin me suksese të kësaj pune”, tha Bulliqi.

Sipas ekspertëve, Kosova deri në dhjetor të vitit 1988 i ka pasur kufijtë administrativ, kufij këta që i ka njohur edhe plani i Presidentit Ahtisaari në bazë të cilit edhe ishte shpallur pavarësia e Kosovës i cili respektonte kufijtë e Kushtetutës së vitit 1974 (kur Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të ish-Jugosllavisë).

Shpejtim Bulliqi, thekson se çështja e shënjimit të kufirit, duhet të zgjidhet pas diskutimeve të cilat duhet të behën nga komisionet përkatëse të Kosovës dhe Serbisë.

Ai thotë se ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme të për të punuar rreth shtrirjes së vijave kufitare mes dy vendeve.

“Kosova duhet ta ruajë kufirin administrativ të dikurshëm dhe besoj se ky proces do të ishte përmbyllur në formën më të mirë po që se arrihet të ruhet ky kufi administrativ i cili ka ekzistuar”.

“Është një fat i madh që edhe disa ndryshime të cilat kanë ndodhur në vijën administrative midis Kosovës dhe Serbisë në periudha të caktuara kohore, të gjitha janë të mbuluara me vendime të qarta politike të periudhave dhe kohës së caktuar dhe kësisoj mendoj që nuk ishte dashtë të kishte ndonjë kontest dhe asnjë problem në kuptimin e përcaktimit të vijës kufitare”, tha Bulliqi.

Ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se në bazë të çështjeve kadastrale me të cilat është punuar edhe për shënjimin e vijave kufitare me shtetet tjera, Kosova duhet të veprojë njësojë edhe për shënjimin e kufirit me Serbinë.

“Ne i kemi të gjitha të dhënat kadastrale sikur i kemi pasur me Maqedoninë, me Malin e Zi, i kemi edhe me Serbinë. Pra, duhet edhe këtu që të koncentrohemi në elementin kadastral. Nëse këtë e bëjmë, unë besoj se nuk do të ketë fare problem”, tha Gecaj.

Përcaktimi i kufijve është çështje e rëndësishme e sovranitetit shtetëror, thotë Gecaj, që sipas tij, nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, edhe çështja e vijës kufitare duhet të jetë e rregulluar me atë marrëveshje.

“Unë më shumë besoj se problemi me Serbinë është më tepër politik. Pra, fakti që Serbia nuk e njeh realitetin e krijuar në Kosovë se sa që është problemi teknik. Mendoj se nuk do të ketë probleme të aspektit teknik, nëse ata pajtohen që në këto diskutimet përfundimtare ta njohin realitetin e shtetit të Kosovës”, tha Gecaj.

Pas ratifikimit të Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, proces ky që kishte zgjatur tre vjet, tani Kosovës i mbetet të rrumbullakojë edhe shënjimin e vijës kufitare me Serbinë.