Kosova dhe Paqja e Ftohtë ndërkombëtare

Kosova shënoi Fundin e krizës më të madhe të Evropës, e cila shpërtheu pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, ndërsa Krimea, qëndron në fillim të një krize evropiane, e cila i ngjanë një Paqe e Ftohtë në raportet midis Perëndimit dhe Rusisë.

Opinion

26/03/2014 21:28

Pa prit, pa kujtue dhe pa dashtë, Kosova po përmendet, në këto dhjetë ditët e fundit, nga autoritetet më të larta të Perëndimit dhe të Rusisë, gati njëlloj si në shkurtin e vitit 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur.

Preteksti dhe konteksti i përmendjes së Kosovës, dihet: Shkëputja e Krimesë nga Ukraina, dhe bashkimi i saj me Federatën e Rusisë, sipër vullnetit të forcës ushtarake të Rusisë, dhe vendimit të Presidentit të saj, Vlladimir Putinit.

Në përpjekjen e Moskës për ta justifikuar këtë veprim që gjithsesi bie ndesh me Rendin Ndërkombëtarë, zyrtarët më të lartë të Rusisë po i tërheqin paralelet në mes të Krimesë dhe Kosovës, duke e shndërruar kështu Ukrainën në Serbi, megjithëse, nuk iu shkon mendja që në finalen e këtij krahasimi ta njohin shtetin e Kosovës.

Gjithsesi, ky krahasim nuk ka të bëjë gjë me realitetin, me dy raste, çfarë janë Kosova dhe Krimeja, që njëmend nuk kanë gjë të përbashkët.

Këtë e di fare mirë Putin, por ai nuk ia ka mësyrë aneksimit të Krimesë në bazë të të Drejtës Ndërkombëtare që synon të jetë grarantuese e një Rendi Ndërkombëtarë të krijuar pas vitit 1990, apo, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, (kur u nisë bërja e Rendit të Ri Botëror, siç u shpall nga President i SHBA-së, George Bush).

E Drejta Ndërkombëtare për Putinin ndërtohet mbi raportet e fuqisë, dhe më shumë i ngjanë Real-Politikës së Bismarckut, të fundit të Shekullit XIX, se një Politike të denjë për Botën e vitit 2014.

Por kjo politikë duket që e ka tani fatin e atij aeroplani fatkeq malajzian, të cilin nuk po arrinë ta gjejnë ende  (edhe pse tani është konfirmuar tragjedia e tij), duke lënë tutje në një Zonë të Mugëtirës  (Twilight Zone), arsyet e kësaj tragjedie.

Në Zonë të Mugëtirës aktualisht qëndron fati i Krimesë dhe i marrëdhënieve të Perëndimit me Moskën.

Gjëja e parë që të bie ndërmend, realisht, kur dikush që synon të jetë sadopak realist kur flet njëkohësisht për Kosovën dhe Krimenë është që Kosova shënoi Fundin e krizës më të madhe të Evropës së viteve të nëntëdhjeta, e cila shpërtheu pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, ndërsa Krimea, me gjasë, qëndron në fillim të një krize të madhe evropiane, e cila tashmë mund të klasifikohet si Paqe e Ftohtë në raportet midis Perëndimit dhe Rusisë.

Ka dallime të shumta në çdo krahasim të mundshëm midis Kosovës dhe Krimesë.

Mbase më kryesori ndër ta është ky: Federata e Rusisë ka qenë partnere, bashkëpunëtore e Perëndimit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që nga marsi i vitit 1998, në takimin e parë të Grupit të Kontaktit  (në Londër), e deri te 17 shkurti i vitit 2008, kur Kosova u bë e pavarur. Nuk ka pasë as përpjekje më të vogël të Rusisë për ta bërë partner dhe bashkëpunëtor Perëndimin në zgjidhjen e çështjes së Krimesë.

Kanë qenë dyshja e sotme kryesore e Federatës së Rusisë, Vlladimir Putin, si President edhe në atë kohë dhe Sergej Lavrov, si Shef i diplomacisë së Rusisë, që madje, në vjeshtën e vitit 2005, kur nisi procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës, hapën Zyren e Federatës së Rusisë në Prishtinë.

Putin dhe Lavrov janë pajtuar me Parimet Prijëse të Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të cilët në nëntorin e vitit 2005, pohonin: Nuk do të ketë, në kuadër të zgjidhjes së statusit të Kosovës, kthim të Kosovës në gjendjen e para 1999-tës, nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe nuk do të ketë bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër.

Me 31 janar të vitit 2006, në Londër do të mbahet një tjetër  Mbledhje shumë e rëndësishme e Grupit të Kontaktit, në të cilën Putin dhe Lavrov do të pajtoheshin, midis tjerash me formulimin që ‘gjatë zgjidhjes së statusit të Kosovës, duhet të merret plotësisht parasysh karakteri i problemit të Kosovës, i krijuar me shpërbërjen e e Jugosllavisë dhe konflikteve pasuese, me spastrimin etnik dhe ngjarjeve të vitit 1999, dhe periudhën e zgjatur të Administratës Ndërkombëtare sipas Rezolutës 1233 të KS të OKB-së’.

Poashtu, në Deklaratën e Grupit të Kontaktit të mbështetur nga Putin dhe Lavrov, thuhej: ‘Beogradi duhet të ketë parasysh që zgjidhja  (e statusit) duhet, në mes tjerash, të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës. Politikat shkatërruese të së kaluarës janë shkaktare të problemeve aktuale.’

Tek e mbrama, po mos ishin të sakta të gjitha këto vlerësime, dhe po mos të ishte Federata e Rusisë pjesë përbërëse e ndërmarrjes ndërkombëtare të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ICJ  (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), nuk do ta justifikonte pavarësinë e Kosovës në vitin 2010.