Kosova dhe Maqedonia, shembull i mirë i bashkëpunimit ndërshtetëror

Kosova është e interesuar të ketë raporte të mira me fqinjët e saj dhe Maqedonia është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndër shtetëror, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit bilateral me homologun e tij, Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev.

Lajme

18/04/2018 13:31

Nismat rajonale, projektet infrastrukturore, bashkëpunimi politik dhe diplomatik, partneriteti ekonomik, ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.

Kryeministri Haradinaj uroi Maqedoninë, e cila bashkë me Shqipërinë mori nota pozitive të përafrimit me BE-në, në raportin më të ri të progresit.

Kryeministri Haradinaj, përmendi edhe rëndësinë që Kosova dhe Maqedonia kanë në menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshjen e roamingut, marrëveshjet e tjera tregtare dhe projektet infrastrukturore.

“Maqedonia ka treguar një partneritet korrekt në raport me Kosovën dhe ka shënuar progres të madh në përfshirjen e shqiptarëve. Si Kosovë jemi të përkushtuar që ta vazhdojmë këtë partneritet, për të mirën e qytetarëve tonë”, tha Kryeministri Haradinaj.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, falënderoi Kryeministri Haradinaj për gatishmërinë e treguar për një komunikim efektiv ndërshtetërorë, derisa tregoi vendosmërinë e vendit të tij për të vazhduar partneritetin me Kosovën në shumë fusha të rëndësishme.

Të dy Kryeministrat u dakorduan që në takimin e parë të dy qeverive, i cili po përgatitet, të përafrojnë agjendat e tyre të përbashkëta politike dhe ekonomike, duke përgatitur një numër marrëveshjesh bilaterale dhe duke u fokusuar në zhvillimin e marrëveshjeve ekzistuese.