Kosova buzë shpërthimit të një bombe sociale

Ekspertë të ekonomisë theksojnë se gjendja sociale në Kosovë është shumë e rëndë, ndërsa politikanët aktualë po manipulojnë me shoqërinë, duke e joshur popullin me tema të tjera. Një fitil për të ndodhë një bombë sociale, sipas tyre, mbeten papunësia.

Lajme

09/02/2014 09:11

Sociologët dhe analistët ekonomikë e politikë theksojnë se gjendja sociale në Kosovë është shumë e rëndë, ndërsa politikanët aktualë po manipulojnë me shoqërinë, duke e joshur popullin me tema të tjera, dhe në këtë mënyrë po i mbajnë njerëzit larg vëmendjes për problemet që i kanë, siç është papunësia

Sociologu Fadil Maloku ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se gjendja është shumë e rëndë, por ai u shpreh se politikanët aktualë po manipulojnë me shoqërinë, duke e joshur popullin me tema të tjera, dhe në këtë mënyrë po i mbajnë njerëzit larg vëmendjes për problemet që i kanë, siç është papunësia.

“Viti 2014 do të jetë vit i ndryshimeve të mëdha, arsyet janë të shumta. Në Kosovë gjatë këtyre 15 viteve janë ashpërsuar kontradiktat midis shtresave shoqërore. Dy shtresave, asaj shumë të pasur, që është prodhuar prej politikanëve, të cilët duke i shfrytëzuar benificionet dhe autoritetin e fuqisë politike kanë krijuar pasuri marramendëse, ndërkaq shtresa tjetër, e cila ka qenë e privuar prej kësaj fuqie, është shfrytëzuar vetëm si potencial votues”.

“Një fitil për të ndodhë një bombë sociale mbeten papunësia dhe situata ekonomike dhe procesi i privatizimit, i cili ndodhi në Kosovë, faktikisht prodhoi kontingjente të reja, të cilat mekanizmat e shtetit nuk i kompensuan. Nëse partitë politike dëshirojnë t’i marrin votuesit, duhet të dalin me oferta konkrete, e jo siç ka shkuar deri më tani”, ka thënë Maloku.

Gjendje të njëjtë paralajmëron edhe Blerim Morina, ekspert i ekonomisë.

“Është e vërtetë se nga mosrritja e investimeve të huaja direkte, moskrijimi i vendeve të reja të punës, Kosova po ballafaqohet me sfidë enorme sociale. Nuk jetohet me standarde evropiane dhe me të hyra afrikane”.

“Nuk jetohet me standarde dhe kritere evropiane me këtë shkallë të papunësisë”, ka thënë ai për Kosova Sot.

Blerim Burjani, njohës i rrethanave politike në Kosovë, mendon se kriza sociale në Kosovë është evidentë me vite dhe moszgjidhja e këtij problemi për një kohë të gjatë mund të jetë njëri ndër indikatorët e shpërthimit të një bombe sociale.

“Kriza sociale në Kosovë mbretëron që një kohë të gjatë. Si potencial i krizës merret niveli i papunësisë, ngase sektori privat është lënë anash. Gjithashtu, mbrojta sociale është lënë anash nga institucionet, pastaj nuk ka mbrojtje shëndetësore e sociale, ndërkohë kemi rritje të menjëhershme të fuqisë punëtore brenda një viti dhe kjo po e rrit shkallen e papunësisë”.

“Të gjithë këta janë indikatorë, të cilët mund të ndikojnë në shpërthimin e një krize sociale”, ka thënë Burjani për gazetën.