Kosova bashkëpunim të ngushtë për sundim të ligjit me Maqedoninë

Prokuroritë e Kosovës dhe të Maqedonisë kanë nënshkruar të martën një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të bashkërendimit dhe koordinimit të aktiviteteve në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve ndërkufitare, përfshirë shpëlarjen e parave dhe terrorizmin.

Lajme

30/12/2014 15:09

Sipas një komunikate të Prokurorisë së shtetit thuhet se ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, ka thënë se ky bashkëpunim bazohet në shkëmbimin e informatave dhe përvojave në mes të dy prokurorive në luftimin efikas të këtyre veprave penale.

“Përmes këtij memorandumi, jemi pajtuar që të caktohet nga një prokuror, i cili do të jetë përgjegjës për aranzhimet dhe vendin e bashkëpunimit, të kontakteve, sipas këtij memorandumi”, tha Hoxha.

Ai theksoi se Prokurori i Shtetit deri më tani ka nënshkruar memorandume të tilla me vendet e tjera të rajonit si dhe me vende të Bashkimit Evropian, si me Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë, Italinë dhe Francën.

Ndërkaq, Prokurori Publik i Maqedonisë, Marko Zvrlevski, tha se me nënshkrimin e këtij memorandumi, do të bashkëpunojmë në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe veprave penale ndërkufitare.

“Kriminelët nuk njohin kufi, dhe ata bashkëpunojnë më shpejt se sa prokurorët. Me këtë memorandum do të ketë një bashkëpunim edhe më të frytshëm në mes të Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Syla.

Po ashtu, Zvrlevski vuri në pah se qëllimi i memorandumit është eliminimi i barrierave në punën formale, vënia e kontakteve të drejtpërdrejta dhe arritja e suksesit më të madh në luftimin e këtyre krimeve.