Kosnett: Puna e Amerikës në Kosovë përqendrohet rreth paqes

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka deklaruar sot se misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë  është përqendruar në tri tema: paqe, drejtësi dhe mirëqenie.

Lajme

21/02/2019 18:22

Kosnett ka thënë se Qeveria amerikane ka përqendruar punën e saj në Kosovë në paqe, drejtësi dhe mirëqenie, pasi kanë bërë lansimin e “Junior geeks”, program ky i financuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, përmes Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe ICK.

“Puna e qeverisë amerikane në Kosovë përqendrohet rreth tre temave kryesore: paqes, drejtësisë dhe mirëqenies. Të gjithë ata nxënës që do të marrin pjesë në këtë program do të jenë më të përgatitur për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës në tre fushat e përmendura”.

Diplomati amerikan shton:

“Lidhja të mirëqenia është e qartë, programi përqendrohet në shkathtësitë kryesore që nevojiten për të kontribuar në ekonominë që çdo ditë ndryshon dhe që është e fokusuar kah teknologjia. Me mbështetjen e qendrës inovative të Kosovës dhe mentorëve të tjerë, ju do të përmirësoni disa prej vetive të domosdoshme për t’u bërë ndërmarrës të suksesshëm si dhe për të krijuar vende pune”, tha Kosnett, njofton Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Ai tha se platformat online ofrojnë mënyra se si publiku mund t’i kërkojë llogari qeverisë dhe të kontribuojë për sundimin e ligjit në Kosovë.

Programi u nda si shpërblim për grupin e tre bursistëve Eldita Tarani, Shpend Lila dhe Zana Tabaku.