KOSID kundër ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”

Kushtrim Puka thotë se ndërtimi i këtij termocentrali mund të ketë ndikim në shëndetin publik dhe në mjedis. Ndërsa, Palokë Berisha mendon se i vetmi burim i energjisë për Kosovën është thëngjilli.

Lajme

13/04/2014 13:43

Përfaqësues të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë për Energji (KOSID),  kërkojnë që të ndërpritet procesi përgatitor për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, raporton REL.

Sipas tyre, në vend ekzistojnë alternativa tjera energjetike që sigurojnë rrymë të mjaftueshme.

Kushtrim Puka nga Forumi për Incitiavë Qytetare, thotë se janë kundër ndërtimit të këtij Termocentrali.

“Ne mendojmë se, nëse Qeveria do të kishte qenë seriozisht e përkushtuar për zgjidhje (të problemeve) në sektorin energjetik, ajo ka mundur të arrihet me një kombinim shumë më të mirë të përdorimit të efiçiencës së energjisë dhe përdorimin e burimeve alternative të energjisë”.

“Kjo do të shkaktojë një numër të madh të familjeve të zhvendosura dhe problemet që kemi pasur me fshatin Hade dhe Dardhishte, mund të përsëriten prapë. Pastaj, ndikimet në shëndetin publik dhe ndikimet mjedisore.

“Për këtë arsye ajo që KOSID ka sugjeruar më herët, ka qenë të merren masa të menjëhershme sa i përket efiçinencës së energjisë”.

Në anën tjetër , eksperti për çështje ekonomike, Palokë Berisha, thotë se Kosova të vetmin burim të sigurt të energjisë e ka thëngjillin.

“Kosova, paralelisht duhet të zhvillojë edhe burimet e veta alternative që nuk janë të shumta, por megjithatë ekzistojnë dhe si të tilla të bëjnë një kombinim.

“Por, gjithsesi projekti i ri duhet të fillojë sa më parë, të mbyllet ‘Kosova A’, të ndërtohet termocentrali i ri që plotëson kushtet bashkëkohore sa i përket teknologjisë”, konsideron Berisha.

Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se ky Termocentral ka për qëllim të zëvendësojë prodhimin me energji elektrike nga Termocentrali “Kosova A”, në mënyrë që të plotësojë kërkesën e konsumit vendor.