Koscielny vazhdon në Arsenal

Qendërmbrojtësi i Arsenalit, Laurent Koscielny ka nënshkruar kontratë të re afatgjate në klub. Reprezentuesi francez thotë se është i lumtur të vazhdojë t’i ndihmojë gjigantit londinez.

Sport

09/05/2014 20:37

Laurent Koscielny ka nënshkruar kontratë të re afatgjate në Arsenal. Koscielny ka bërë 163 paraqitje për gjigantin londinez pas ardhjes nga Lorient katër vite më parë.

Qendërmbrojtësi francez ka shfaqur formë të mirë këtë sezon dhe së fundmi spekulohej se kërkohej nga Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain. Por, ai i është bashkuar partnerit të tij të mbrojtjes Per Mertesacker duke vazhduar kontratën në Emirates.

“Jam shumë krenar që kemi arritur marrëveshje me klubin për kontratën e re”, deklaroi ai për uebfaqen zyrtare të Arsenalit.

“Kam kaluar katër vite të mrekullueshme në Arsenal, dhe dua të vazhdoj të ndihmoj ekipin në vitet e ardhshme”, u shpreh ai.

Ndërsa, menaxheri Arsene Wenger shtoi: “Laurent e ka dëshmuar vetën si futbollist i jashtëzakonshëm pas transferimit në klub më 2010 dhe e konfirmoi këtë sezon. Jam shumë i lumtur që ka vendosur të konfirmojë të ardhmen e tij në klub”.