Korrupsioni po rrezikon të ardhmen

Në takimin e Këshillit Kundër Korrupsionit është thënë se duhet ende punë për ta luftuar këtë fenomen. Jahjaga tha se me gjithë të arriturat pozitive, korrupsioni po rrezikon të ardhmen e vendit.

Lajme

04/10/2013 13:33

“Edhe pse janë arritur rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit duhet të punohet ende.”

Kështu është thënë në takimin e gjashtë të Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e cila drejton këtë këshill tha se me gjithë suksesin e mekanizmave për luftimin e këtij fenomeni, ende po sfidohet e ardhmja e vendit.

“Afër dy vjet pas krijimit të Këshillit, me gjithë suksesin e vendosjes së komunikimit ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile e mekanizmave për luftimin e korrupsionit, ne ende sfidohemi nga kjo dukuri e rëndë në shoqërinë tonë dhe po e rrezikojmë të ardhmen tonë”.

“Lufta e jonë kundër korrupsionit është beteja jonë më e rëndësishme që do ta kthejë besimin e qytetarëve tek institucionet tona”.

“Kur e kemi filluar punën me Këshillin Kundër Korrupsion, të bazuar në ligje dhe në Kushtetutën e Kosovës, synim parësor kemi pasur koordinimin dhe komunikimin e rregullt, në mënyrë që të rritet efikasiteti i të gjitha institucioneve për luftën kundër korrupsionit”.

“Lufta kundër korrupsionit është beteja jonë më e rëndësishme që do ta kthejë besimin e qytetarëve në institucionet tona. Sa më mirë që ne e bëjmë punën tonë aq më shumë do të rritet suksesi i kësaj lufte, dhe besimi i qytetarëve tek ne dhe në vlerat e shoqërisë demokratike”.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi foli për hartimin e pakos për luftimin e korrupsionit.

“Kam kënaqësinë t’u informoj se ashtu siç edhe jemi zotuar, kemi amandamentuar pakon e ligjeve kundër  korrupsionit”.

“Jam i bindur që këto dy projektligje do të kenë një efekt shumë pozitiv në parandalimin e dukurive të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

“Një çështje tjetër me rëndësi të veçantë në procesin e luftimi të korrupsionit është edhe iniciativa për ‘Themelimin e zyrës kombëtare për koordinimin e punës së institucioneve në luftimin e krimeve ekonomike”.

Ndërsa shefi i EULEX-it Bernd Borchard tha se Kosova deri më tani ka krijuar mekanizmat për luftimin e korrupsionit dhe tani pret të shohë rezultate.

“Dot`ju siguroj se EULEX do të qëndroj këtu përderisa ju ofroni partneritet për t’i luftuar dukuritë korruptive”.